Protestat dhe keqpërdorimi i pacientëve nga personeli mjekësor, shënuan shëndetësinë për vitin 2023

Sulmet kibernetike ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor, rikthimi i sëmundjes të etheve hemorragjike Kongo-Krimeane, keqpërdorim i ilaçeve për pacientët me kancer nga ana e personelit të Klinikës së Onkologjisë, mungesa dhe furnizimi i ilaçit Trikafta për pacientët me fibrozë cistike dhe mungesa dhe furnizimi i terapisë për personat me diabet, ishin ngjarjet më kryesore të shëndetësisë gjatë vitit 2023 në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Viti 2023 në shëndetësi filloi me sulmet kibernetike ndaj Fondit për Sigurim Shëndetësor7 janar. Sistemi i Fondit për Sigurim Shëndetësor përmban të gjitha të dhënat e personave të cilët kanë sigurim dhe përmban të dhënat e pacientëve në Maqedoninë e Veriut. Fondi më pas lajmëroi se ka pasur një problem teknik mirëpo nuk ka pasur rrjedhje të të dhënave të pacientëve. Mosfunksionimi i Fondit shkaktoi edhe vonesën e pagesës së pagave të punonjësve mjekësor që rezultoi në protestimin e punonjësve mjekësor. Pas rikthimit të Fondit në funksion, stafi mjekësor protestoi për paga më të larta.

Janari gjithashtu u shënua me një aktakuzë nga Prokuroria Themelore Publike  kundër kardiokirurgut Zhan Mitrev për veprën penale “mashtrim”, për të cilën është paraparë dënim me burg prej 1 deri në 10 vjet. Sipas sqarimit të prokurorisë, janë fshehur faktet kyçe dhe në këtë mënyrë është krijuar mashtrim tek pacientët, të cilët janë trajtuar në spital. Qëllimi i prokurorisë është të dëshmojë se të akuzuarit në rastin e Zhan Mitrevit kanë dashur t’i mashtrojnë për përfitime ligjore.

Kjo padi erdhi si rezultat i publikimit të hulumtimi të Gazetarëve të IRL-së me storjes “Gjak i pistë” që tregon se spitali privat i cili ka pranuar më së shumti pacientë gjatë pandemisë së kovid-19 dhe në të cilën mjekimi ka kushtuar dhjetëra mijëra euro, e ka zbatuar metodën e hemofiltrimit (pastrimit të gjakut) e cila praktikisht ka qenë studim klinik. Në kundërshtim me ligjin, studimet klinike nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED.

Protestë e pacientëve të dëmtuar nga Zhan Mitrev para Gjykatës Penale të Shkupit
Protestë e pacientëve të dëmtuar nga Zhan Mitrev para Gjykatës Penale të Shkupit

Zhvillim tjetër që e shënoi vitin 2023 ishte miratimi i ilaçit Trikafta për pacientët me fibrozë cistike, që të sillet në Maqedoninë e Veriut.

Miratimi i këtij ilaçi u vendos pasi Asociacioni për Fibrozë Cistike disa herë protestoi dhe ngriti zërin. Njëri nga pacientët me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilievskin nga Manastiri, vdiq në shkurt të këtij viti për shkak se ilaçi që trajton fibrozën cistike, asokohe nuk ishte i qasshëm për pacientët.

Në mars, ilaçi Trikafta arriti në Maqedoninë e Veriut, mirëpo për shkak të çmimit të lartë të këtij ilaçi, ai u mundësua vetëm për 12 pacientë ndërsa në vend numri i pacientëve me fibrozë cistike ishte 120.

Për këtë arsye më 17 mars u ndryshua Ligji për barnat dhe pajisjet mjekësore, që mundëson blerjen e drejtpërdrejtë të ilaçeve përmes marrëveshjeve speciale ndërmjet shtetit dhe prodhuesit të një ilaçi inovativ që e ka patentuar dhe që nuk ka konkurrencës në treg. Në këtë mënyrë parashihet që personat me sëmundje më të rënda dhe të rralla të sigurohet trajtim sa më shpejtë dhe më lirë.

Edhe pse kjo ishte një zhvillim i mirë për pacientët me fibrozë cistike, ilaçi Trikafta nuk ishte i disponueshëm për të gjithë dhe për këtë kishte edhe reagime nga vetë pacientët. Mirëpo, Mexhiti, pacientin më të zëshëm që kërkonte ilaçin “trikafta” e quajti showman.

Në fund të muajit nëntor, u miratuan edhe 100 milionë denarë për ilaçin Trikafta, i cili arriti në vend më 21 dhjetor. Ndërkaq disa ditë më vonë Qeveria miratoi  854 milionë denarë për ilaçin Trikafta që do të ju mundësojë pacientëve me fibrozë cistike ilaçin edhe për vitin 2024 dhe 2025.

Protestë e pacientëve me fibrozë cistike, Foto: Printscreen nga video
Protestë e pacientëve me fibrozë cistike, Foto: Printscreen nga video

Vera e vitit 2023 u shënua me protesta nga Unioni i Shoqatave të Personave me Diabet për shkak se personat me diabet për 8 muaj nuk kanë pasur  terapi, glukomatës, shirita, gjilpëra dhe komplete për fëmijët me diabet. Mirëpo protesta u ndërpre pasi u premtua se do të ketë zgjidhje. Në fund të muajit korrik, ministri i Shëndetësisë informoi se kanë siguruar shirita për diabet duke lidhur një kontratë për furnizimin e shiritave për  diabet.

Në gusht, u protestua sërish nga Shoqata e të sëmurëve nga diabeti. Pavarësisht thirrjeve dhe protestave, pacientët terapitë i morën në fund të vitit, gjegjësisht plot një vit ishin pa shirita dhe aparate për matjen e sheqerit.

Qendra për Diabet në Klinikën universitare të endokrinologjisë, diabetit dhe çrregullimeve metabolike në Shkup. Foto nga Faton Curri Portalb.mk
Qendra për Diabet në Klinikën universitare të endokrinologjisë, diabetit dhe çrregullimeve metabolike në Shkup. Foto nga Faton Curri Portalb.mk

Ngjarje që shënoi këtë vit gjithashtu është paraqitja e sërishme pas disa dekadave të etheve hemorragjike Kongo-Krimeane, një virus që shkaktohet nga kafshimi nga rriqrat.

Në vend kishte 3 raste të kësaj sëmundjeje, rasti i parë ishte 27 vjeçarja nga Shtipi e cila edhe ndërroi jetë. Më pas u infektua edhe infermierja e cila e trajtonte pacienten e parë dhe rasti i fundit ishte një 42 vjeçar nga Velesi. Për trajtimin e kësaj sëmundje në vend u sjell ilaçi Ribavirin.

Një ndër rastet që tronditi publikun sa i përket shëndetësisë ishte edhe raportimi se punonjësit mjekësor në Klinikën e Onkologjisë keqpërdorin terapitë që janë për pacientët me kancer dhe ua shesin pacientëve edhe pse terapitë janë të mbuluar nga Fondi i Sigurimit. Policia hyri në Klinikë për të bastisur, ndërkaq Prokuroria dhe filloi hetimin. Ky rast pati reagime të shumta edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi, kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe partitë politike.

Qytetarët më 4 shtator organizuan protestë për rastin e Onkologjisë në Shkup duke filluar nga Qeveria deri te Prokuroria për të shprehur revoltën e tyre. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë tha se është rikthyer në përdorim sistemi KATO, i cili do të shërbejë për të parandaluar keqpërdorime të tilla.

Për të trajtuar rastin e Onkologjisë u formua një komision hetimor në Kuvendin e RMV-së i cili shqyrtoi dokumentet dhe dëshmitë e marra nga Klinika nga ku edhe vërejtën parregullsi ligjore siç është lista e barnave për terapi biologjike dhe se nuk është punuar në korniza ligjore.

dhjetor filluan gjykimet për të dyshuarit në këtë rast dhe në fund të muajit dhjetor ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë, doktor Nino Vasev, u lirua nga akuza për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Përveç tij u lirua edhe doktor Igor Stojkovski, onkolog nga e njëjta klinikë, si dhe doktoresha Marija Simonovska.

Protesta për rastin në Klinikën e Onkologjisë. Foto: Printscreen nga video live në Facebook e Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase
Protesta për rastin në Klinikën e Onkologjisë. Foto: Printscreen nga video live në Facebook e Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase

Sa i përket premtimit edhe të ministrit Mexhiti për Qendër të re Klinike, ky premtim edhe këtë vit nuk u realizua, mirëpo në dhjetor, ministri Mexhiti paralajmëroi se ndërtimi i kësaj klinike do të bëhet me financim nga Mbretëria e Bashkuar, edhe pse për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane.

Përveç këtyre rasteve, Portalb.mk ka raportuar edhe për gjendjen e spitaleve në komuna të Maqedonisë së Veriut, për spitalin e ri të Kërçovës i cili për habinë e askujt nuk u ndërtua as edhe këtë vit, Poliklinikën e Sarajit që është gati dhe që veçmë janë të punësuar 26 persona por që deri në fund të këtij viti nuk u hap, dhe kushtet e këqija në spitalin e Kumanovës.

Dhe risia e fundit për këtë vit në Shëndetësi ishte sigurimi i helikopterit për transport të rasteve me urgjencë.

Më 28 dhjetor, përfundimisht Qeveria miratoi punësimin e përhershëm të 1.117 personave në shëndetësinë publike që deri më tani nuk kanë pasur marrëveshje për punë dhe nuk kanë pasur benefite si stazh pune, K-15 e kështu me radhë, por kjo tanimë u zgjidh në vitin 2023.