RMV, Ilaçi “Trikafta” arriti në klinikën për sëmundje të fëmijëve

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, mbajti sot konferencë për shtyp në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e mbërritjes së ilaçit Trikafta për pacientët me fibrozë cistike, transmeton Portalb.mk.

“Ilaçi Trikafta tashmë ndodhet në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve. Me 100 milionë denarë është marrë terapia për muajt në vijim. Gjithashtu, për ilaçin janë planifikuar edhe 854 milionë denarë, për vitin 2024 dhe 2025, kështu që pacientëve me fibrozë cistike, t’u sigurohet terapi edhe për dy vitet e ardhshme”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se pacientët me fibrozë cistike përfshihen në terapi në faza, sipas Protokollit dhe kritereve të sakta të vlerësimit, merret vendimi për marrjen e terapisë. Lista e pacientëve është bërë nga Komisioni i Ekspertëve, pas ekzaminimeve mjekësore të të gjithë pacientëve me fibrozë cistike, sipas pikëve të marra.

“Ilaçi Trikafta është një ilaç i sigurt, i miratuar nga Agjencioni Evropian i Mjekësisë. Ajo që është shumë e rëndësishme, efekti i terapisë është i shpejtë, domethënës dhe i qëndrueshëm. Në Evropë, ilaçi është terapi standarde për trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike”, thotë Mexhiti.

Më 17 mars, deputetët miratuan Ligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore, mundësoi blerjen e drejtpërdrejtë të ilaçit përmes marrëveshjeve speciale ndërmjet shtetit dhe prodhuesit të një ilaçi inovativ që e ka patentuar dhe që nuk ka konkurrencës në treg. Kjo do të mundësojë akses më të shpejtë dhe më të lirë në barna, kryesisht ato për sëmundje të rralla, si dhe për sëmundje specifike dhe të rënda. Ndryshimi i ligjit ka nisur me qëllim blerjen e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, por do të zbatohet edhe për barnat e tjera që kanë një prodhues të vetëm.

Revolta në opinion u shtua pas vdekjes së njërit prej pacientëve me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, më 8 shkurt. Kujtojmë se ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, më 9 shkurt tha se për ilaçin “Trikafta” janë siguruar 140 milionë denarë për 8 pacientë me fibrozë cistike. Fjala është për mjetet buxhetore të dedikuara për Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, përkatësisht për 140 milionë denarë shtesë, tha Sali. Në të njëjtën ditë, anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Cistike i dhanë lamtumirën e fundit para Qeverisë me një minutë heshtje, qirinj dhe lule Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, një nga anëtarët më aktivë të tyre, i cili vdiq më 8 shkurt.