Kasami kërkoi dorëheqjen e Mexhitit pas rastit në Onkologji: Çdo veprim tjetër do të dëshmojë fshehjen e krimit 

Përgjegjësit e aktit barbar e monstruoz të marrin dënim maksimal me burg ndërsa ministri i Shëndetësisë të dorëhiqet. Kështu ka reaguar sot Lëvizja Besa në lidhje me rastin e bastisjes në Klinikën e Onkologjisë për dyshime se në mënyrë të paligjshme u shiten barna pacientëve, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se ministrat dhe çdo funksionar i kësaj Qeverie, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, edhe të marrin jetë të njerëzve, vetëm që të pasurohen vetë. Këtë sipas tij më së miri e dëshmon rasti me keqpërdorimet e barnave në Klinikën e Onkologjisë.

“Dhe pas të gjithë këtij skandali, i cili në opinion përflitet thuajse dy vite, kryeministri dhe ministrat, dalin në opinion dhe në vend që të japin dorëheqje, ata, pa iu skuqur fytyra, arsyetohen dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi. Ne si Lëvizje BESA, dyshojmë se do të ketë drejtësi dhe përgjegjësi për këtë rast, aq sa kishte drejtësi për rastin me “Besa Transin”, “Durmo Tursin” dhe Spitalin Modular në Tetovë, ku fajtorët kryesorë për këto raste janë të lirë dhe jashtë aktakuzave”, tha Kasami.

Ai shtoi se derisa qytetarët vdesin nëpër korridore të klinikave dhe për shkak të vjedhjes së terapive, ata dalin dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi.

“Lëvizja BESA kërkon që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga ministri aktual i Shëndetësisë kërkojmë të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin. Këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes, në shenjë ndërgjegjshmërie e përgjegjësie si i pari i Shëndetësisë në vend. Çdo veprim tjetër do të dëshmojë fshehjen e krimit dhe bashkëpunimin me kriminelët në rastet e lartpërmendura”, tha Kasami.

Për sot në ora 18:00 para Qeverisë është caktuar protestë për rastin e Klinikës së Onkologjisë.

Kasami tha se do të përkrahin këtë protestë, dhe nëse do të jetë këtu do të merr pjesë në protestë. Ai kërkoi që protesta mos të shfrytëzohet për politizim, siç tha “sepse rasti është i rëndë, që duhet çdokush të ngrejë zërin”.

Më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.

Apel për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të manipulimit të barnave kërkoi edhe ushtruesja e detyrës Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë, e cili theksoi se si ekip organizativ ishin plotësisht në dispozicion të organeve hetimore.

Edhe Prokuroria bëri thirrje që të gjithë ata që kanë informacion në lidhje me këtë çështje t’i raportojnë organeve kompetente.

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase.

Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

Reagime pati edhe nga partitë shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi që institucionet kompetente, në veçanti prokuroria, urgjentisht dhe detajisht të hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorime të rënda mbi jetën dhe shëndetin e pacientëve.

Nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari shkroi se për skandalin në Klinikën e onkologjisë, Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar qysh në dhjetor të 2022. Por, askush nuk reagoi dhe u llogarit si një reagim koti.

Lëvizja Demokratike theksoi s në shtete normale për raste të këtilla si skandali i onkologjisë, dorëhiqen qeveritë. Sipas tyre, aksioni policor në Klinikën e Onkologjisë, sipas të gjithë treguesve, në sipërfaqe do të nxjerrë një skandal me përmasa tragjike

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një prononcim për emisionin “Click Plus” në Tv 21 e cilësoi rastin si “krim”.