Spanja njohu pasaportat e qytetarëve të Kosovës

Spanja njohu pasaportat e Kosovës, duke u bërë vendi i fundit i zonës Shëngen që e bën një gjë të tillë, shkruan Zëri i Amerikës.

Sipas një dokumenti të publikuar në faqen e internetit të Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian, Spanja njeh pasaportat “e zakonshme të lëshuara nga Kosova”, por jo pasaportat zyrtare dhe ato diplomatike.

Në dokument theksohet se njohja e pasaportave ” nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”.

Njohja përkon me hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët, të fundit në rajonin e Ballkanit të përfshirë në këtë regjim.

Spanja së bashku me Greqinë, Qipron, Sllovakinë e Rumaninë, janë pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Por katër të tjerat i kishin njohur më herët pasaportat e Kosovës.

Njoftimi u cilësua një lajm i mirë nga autoritetet në Kosovë.

Regjimi i udhëtimit pa viza nënkupton mundësi qëndrimi deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Shëngen, por nuk është leje pune.