Politikanët në pazar me vendin e drejtorit të Spitalit të Kumanovës, derisa pacientët ankohen për kushte të këqija

Përderisa politikanët emërojnë dhe shkarkojnë drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës duke u munduar që drejtori i spitalit të jetë përfaqësues i partive të tyre, qytetarët e Kumanovës ankohen për mungesën e kushteve elementare, papastërtinë në spital, shtretërit e vjetër dhe sjelljen jo profesionale të personelit mjekësor, shkruan Portalb.mk.

Mjekë, pacientë e drejtorë të spitalit të Kumanovës tashmë me vite reagojnë ndaj kushteve jo cilësore të spitalit, investimeve të pamjaftueshme nga Ministria e Shëndetësisë, infrastrukturës së vjetër dhe mungesës së personelit.

Spitali i Kumanovës shërben si qendër shëndetësore për rajonin përreth qytetit dhe po ashtu për kujdes shëndetësor sekondar për komunën e Kriva Pallankës, Kratovës, Likovës dhe fshatrat në afërsi.

Spitali në përgjithësi u shërben mbi 200 mijë banorëve në një ndër qytetet më të mëdhenj të Maqedonisë së Veriut.

Që në shtator të këtij viti, ky spital është në qendër të vëmendjes së partive politike duke bërë pazare se nga cila parti do të udhëhiqet spitali.

Në shtator, Biljana Ivanovksa është emëruar drejtoreshë e spitalit të Kumanovës pasi që drejtoreshës së mëparshme, Snezhana Zaharieva, anëtare e bordit ekzekutues së LSDM-së, i mbaroi mandati.

Në tetor, Ivanovska u shkarkua dhe në vend të saj u emërua si ushtrues detyre, urologu i vetëm i këtij spitali Fati Xhemaili me nënshkrim të Ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Por urologu u shkarkua nga kjo pozitë pa mos e mbushur as edhe një muaj.

Taravari pastaj në një deklaratë për LajmTV ka pranuar se ata pa mos u konsultuar me askënd e kanë ndërruar drejtorin e LSDM-së dhe kanë dashur të vendosin person të tyre mirëpo pastaj kanë vendosur të ja kthejnë spitalin LSDM-së dhe ai bëri me dije për personat që janë të aftë të zbatojnë detyrën e drejtorit se “këto janë pozicione politike”.

Pas shkarkimit të urologut Xhemaili, në pozitë të drejtorit është rikthyer Psikologjia Biljana Ivanovska.

Derisa, politikanët të vendosin se kush do të jetë në krye në këto pozita politike, pacientët e spitalit me vite ankohen se në spital nuk ka kushte elementare, që nga papastërtia, mungesa e veshjeve të pacientëve dhe infrastrukturës së vjetër të spitalit.

Portalb.mk bisedoi me disa qytetarë të Kumanovës në lidhje me kushtet e spitalit, identiteti i të cilëve është i njohur për redaksinë.

“S’kam qenë prej kohësh, para do muajve isha tek urgjenca, kushtet janë tepër të këqija, punojnë në një barakë”, tha një qytetar nga Likova për Portalb.mk.

“Te spitali i Kumanovës na dërgojnë në rast më serioz si sulm në zemër, operacion e kështu sendesh, sepse në Kratovë kemi ambulantë. Por te spitali i Kumanovës është shumë keq. Për të mbaruar punë aty duhet të njohësh dikë, përndryshe nuk të prekin. Në prill të këtij viti, gjyshja ime kishte sulm në tru dhe e dërguan atje, mos të kishim lidhje nuk do të përkujdeseshin siç duhet për të. Brenda është ftohtë nuk ka ngrohje, aparatet janë të vjetra, tualetet janë të papastra, kundërmon era e keqe, shtretërit do të pëlcasin, gjithçka është e ndryshkur. Aty nuk ka higjienë, kush dëshiron të trajtohet aty ,” tha një qytetare nga Kratova për Portalb.mk.

Investimet në Spitalin e Kumanovës paralajmërohen me vite të tëra, në vitin 2017, drejtori i atëhershëm i spitalit, Arif Latifi për Portalb.mk paralajmëroi se spitali do të pajiset me aparate të reja për mamografi, aparat për anestezion, aparate ekg dhe eho. Ai gjithashtu konfirmoi edhe mungesën të kuadrit mjekësor.

Situata e papërmirësuar ndër vite

Në vitin 2019, Komuna e Kumanovës ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë të sigurojë mjete financiare për gazifikimin e spitalit të Kumanovës.

Në vitin 2020, Spitali i Kumanovës është ankuar se aparatet e vjetra për Mamografi nuk punojnë dhe Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjet kërkesave të tyre.

Në dhjetor të vitit 2021, kur ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe, është bërë gazifikimi i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës me të cilën duhet të sigurohej që në dhomat e pacientëve të mos jetë më ftohtë dhe duke mos shpenzuar aq shumë për energji elektrike.

Në vitin 2022, ministri i shëndetësisë, Bekim Sali premtoi se spitali i Kumanovës do të pajiset me aparat për mamografi, aparate për rezonanca magnetike të cilat do të bëhen me kredi nga Banka Botërore.

Në prill të vitit 2023 spitali i Kumanovës i cili u shërben më shumë se 200 mijë banorëve, mbeti pa auto ambulancë, pasi që e vetmja auto ambulancë që ky spital ka pasur pësoi një aksident rrugor. Drejtoresha e mëparshme e spitalit, Zaharieva për Televizionin Alsat ka thënë se do të huazojnë auto ambulanca nga Shtëpia e Shëndetit e Likovës.

Portalb.mk e ka evidentuar gjendjen e spitalit të Kumanovës që nga viti 2013, pacientët që para 10 viteve ankohen për të njëjtat probleme me kushtet e këqija.

Për mungesën e kushteve të Spitalit të Kumanovës, Portalb.mk ka parashtruar pyetje deri te Ministria e Shëndetësisë, por deri në publikim e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.