RMV, të punësuarit në Fondin e Shëndetësisë nesër do të dalin në protestë

Të punësuarit në Fondin e Shëndetësisë nesër do të dalin në protestë. Ata thonë se shkak i pakënaqësisë së punëtorëve është mospërputhja e pagave me rritjen e pagës minimale, ndërsa kërkojnë edhe shkarkimin e bordit drejtues të Fondit. Krahas kësaj ata kërkojnë që të vendoset një pikë vlere, për të ruajtur pagat që kanë. Ata thonë se janë të zhgënjyer nga qëndrimi i bordit drejtues të Fondit, pasi anëtarët, sipas tyre, nuk kanë dashur të votojnë zgjidhjen e pagave, transmeton Portalb.mk.

Greva në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) u vu në pauzë në shkurt, pasi Qeveria mori vendim që të punësuarve të mos u reduktohen pagat, siç ishte paralajmëruar paraprakisht.

Në konferencën e sotme për media, drejtorët e përgjithshëm Magdalena Filipovska-Grashkovska dhe Asaf Abduramani, zëvendësministrja e Shëndetësisë Maja Manoleva, si dhe dy përfaqësues nga sindikata (Branko Axhigogov) dhe nga SPAGj-i (Trpe Deanoski) falënderuan Qeverinë, veçanërisht kryeministrin teknik Talat Xhaferin.

Punonjësit e FSSh-së dolën në grevë më 5 shkurt, duke kërkuar që pagat e tyre këtë vit të jenë të barabarta me pagën e dhjetorit të vitit 2023, me rritjen e përcaktuar prej 15 për qind. Ata shprehën pakënaqësi për uljen e mundshme të pagave për 21 për qind.

Në mbledhje, qeveria vendosi të anulojë rekomandimin për Bordin e Drejtorëve të FSSh-së nga data 9 janar 2024 dhe miratoi një rekomandim të ri që i referohet vlerës aktuale të pikës së llogaritjes së pagës, e vlefshme nga 1 janari 2024 deri më 31 maj 2024.