Mexhiti: S’mund ta padisim kompaninë ndërtuese të Spitalit të Kërçovës, për faj të Ministrisë janë vjedhur 500.000 euro

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhitit, sot në brifing me gazetarët në lidhje me ndërtimin e spitalit të ri të Kërçovës deklaroi se në proces të ndërtimit të objektit ka pasur lëshime nga Ministria e Shëndetësisë dhe janë vjedhur materiale për punë në vlerë prej 500 mijë eurosh, ndërkaq ai gjithashtu shtoi se në proces është marrja përsipër e objektit ndër Ministrinë e Shëndetësisë dhe vitin e ardhshëm pritet të hapet tender i ri për përfundimin e këtij spitali, shkruan Portalb.mk.

Spitali i ri i Kërçovës i cili po ndërtohet tashmë për tre dekada dhe që sipas kontratës tashmë të ndërprerë parashihej që të përfundohet në vitin 2024. Që nga nënshkrimi i kësaj kontrate, në terren nuk është punuar aspak dhe gjegjësisht, faza e dytë e këtij objekti nuk është realizuar.

Portalb.mk e pyeti ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti nëse do të ketë padi apo dënime për dëmin e shkaktuar nga firma ndërtuese që nuk e ka përfunduar objekti. Ministri Mexhiti tha se nuk do të ketë për shkak se në ndërtimin e spitalit ka pasur lëshime edhe nga vetë ministria.

“Ka lëshime edhe nga ministria, kur kemi folur me prokurorinë e shtetit, vërejtëm se ndërtuesi nuk ishte paguar gati 10 vite, kemi pasur disa lëshime. Atje tani duhet të vlerësojmë se si është situata, a kemi borxhe ne si ministri dhe kjo merr kohë.” tha ministri Mexhiti.

Ministri gjithashtu theksoi se ata e kanë aktivizuar garancinë bankare por shuma e saj ka qenë shumë e vogël, për 20 vite kanë marrë rreth 25 mijë euro.

Sa i përket hapit të ardhshëm, ministri tha se janë në procedurë të marrjes përsipër të objektit dhe më pas do të sigurohet objekti, do të vlerësohet deri ku është ndërtuar dhe më pas do të shpallet tender i ri.

Për atë se çka ka ndodhur me spitalin e ri të Kërçovës, ministri tha se në mes të fazës së parë të ndërtimit dhe fazës së dytë, gjatë dorëzimit të objektit nga ndërtuesi te Ministria e Shëndetësisë, objekti është lënë pa masa sigurie nga ministria dhe në atë kohë janë vjedhur materiale në vlerë prej 500 mijë euro.

“Në mes të fazës së parë dhe të dytë të ndërtimit, ai që ka ndërtuar ka dërguar dokumentet në Ministrinë e Shëndetësisë që ministria ta merr përsipër objektin që të ketë tender të ri dhe këtu ka pasur lëshime nga ministria dhe ka ndodhur që të vidhen kabllo bakri për oksigjen me vlerë prej 500 mijë eurove. Ka të dhëna në polici dhe prokurori për këtë.”, tha ministri Mexhiti.

Portalb.mk parashtroi pyetje deri te Ministria e Punëve të Brendshme, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Maratonë dështimesh

Në gusht të vitit 2023, ministri i tanishëm i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti paralajmëroi se kontrata me firmën ndërtuese do të ndërpritet për shkak se në terren nuk punohet.

Më 11 dhjetor të vitit 2023, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në një konferencë deklaroi se kontrata është prishur.

Më 9 dhjetorPortalb.mk publikoi kontratat  për ndërtimin e spitalit të ri të Kërçovës njëra në vitin 2014 dhe tjetra në vitin 2021, me vlerë totale të dy projekteve 9 milionë euro.

Më 13 nëntor të vitit 2023 Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë në një konferencë nëse e kanë prishur kontratën, ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Më 2 nëntor të viti 2023, në një konferencë për media i pyetur nga Portalb.mk nëse është prishur kontrata, ai tha se pritet që për një javë të ndërpritet kontrata me firmën.

Më 13 nëntor të vitit 2023, Portalb.mk përsëri e pyeti ministrin e Shëndetësisë nëse e kanë prishur kontratën ai tha se janë duke shqyrtuar disa dilema me Qeverinë që të mos dëmtohet ministria nga prishja e njëanshme e kontratës.

Në nëntor të 2022, ministri i atëhershëm, Bekim Sali ka thënë se për spitalin e Kërçovës janë ndarë 60 milion denarë.

Në mars të vitit 2021Ministria e Shëndetësisë, kur ministër ishte Venko Filipçe, ka nënshkruar kontratë për mbikëqyrje profesionale të punëve të ndërtimit për rindërtim, konvertim, përshtatje, ndërtim dhe përmirësim të spitalit të përgjithshëm të Kërçovës. Mirëpo në terren nuk është punuar nuk ka pasur asnjë aktivitet

Në vitin 2019, Ministria e Shëndetësisë ka hapur shpallje publike për kompanitë e ndërtimit për realizimin e fazës së dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës. Në këtë shpallje ka konkurruar kompania INKOM Inxhinieri – Shkup, në projekt shpjegohen të gjitha mangësitë nga projekti i parë dhe në çka duhet të fokusohet faza e dytë e ndërtimit.

Në shtator të viti 2017, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e vizitoi spitalin dhe për mediat tha se janë ndarë financa për përfundimin e spitalit duke premtuar që deri në prill të vitit 2019 spitali do të jetë gati.

Në dhjetor të viti 2016, Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe në një deklaratë për TV Gurra përsëri ka premtuar se në vitin 2017 Kërçova do të ketë spital të ri.

Në dhjetor të vitit 2015, Ipçe ka vizituar spitalin dhe ka premtuar se në vitin 2017 edhe faza e parë edhe e dytë do të jetë e përfunduar.

Në vitin 2013, Qeveria e RM-së mori vendim të fillojë një operacion i madh  investues i objektit të këtij spitali. Sipas ministrit të shëndetësisë, punimet ndërtimore duhej të përfundonin në afat prej 18 muajsh (shtator 2014).

Përkundër kësaj, ky premtim nuk u realizua. Në ndërkohë, qytetarët janë të detyruar shërbimet shëndetësore t’i marrin prej spitalit të vjetër, i cili nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

“Sa ju takon pjesë si reparti i sëmundjeve interne, reparti i gjinekologjisë, reparti i akusherisë, kanë kushte të kënaqshme, janë të vendosur në objekte pak më të reja dhe disponojnë me disa aparatura të reja dhe modern. Sa i takon pjesës së ambulancave, urgjencës, infektives dhe urologjia kanë kushte shumë larg të kënaqshmes, lirisht mund të them, kushte të këqija. Spitali ka nevojë për kushte më të mira të cilat ne shpresojmë se do t’i kemi kur të transferohemi në objektin e ri”, shkruan Portalb.

Që nga viti 1985 e deri në vitin 2013, Spitali i përgjithshëm i Kërçovës vazhdoi të mbetet në gjendje të mjerueshme.