RMV, Ministria konfirmoi që një i punësuar në Klinikë tashmë është infektuar me ethe hemorragjike Kongo-Krimeane

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, pas kontrolleve të kryera te një pjesë e stafit të dyshuar për infektim me ethe hemoragjike Kongo-Krimeane, konfirmojnë se një e punësuar tashmë është infektuar, transmeton Portalb.mk.

“Një nga punonjësit e KSIGJF-së i cili u identifikua si kontakt me rrezik të mesëm, në ditën e 9-të të mbikëqyrjes, tregoi simptoma dhe sipas rezultateve të marra nga Reparti EPI në ISHP, u përcaktua një rast pozitiv i etheve hemorragjike Kongo-Krimeane”, raportojnë nga Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar që pacienti tashmë është shtrire në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Fibrile.

Ekspertë të epidemiologjisë në vend inspektuan në terren për shkak vdekjes së 27 vjeçares me ethe hemorragjike, Epidemiologët në të gjitha vendet e dyshuara kanë kryer kontroll, ashtu që rastet e dyshuara i vendosën në izolim për mbikëqyrje shëndetësore 14-ditore. Kontaktet nga rasti i parë do të jenë në mbikëqyrje deri më 10 gusht.

“Kohëzgjatja e kohës nga infeksioni deri në fillimin e simptomave varet nga mënyra se si fitohet virusi. Pas infektimit me kafshim të rriqrave, periudha zakonisht është një deri në tre ditë, me një maksimum prej nëntë ditësh. Periudha pas kontaktit me gjakun ose indet e infektuara është zakonisht pesë deri në gjashtë ditë, me një maksimum të dokumentuar prej 14 ditësh”, sqaroi Ministria.

Ministria sqaroi që sëmundja përparon në trupin e njeriut duke u shfaqur mavijosje dhe gjakderdhje në hundë.

“Fillimi i sëmundjes është i papritur, me dhimbje koke, ethe, dhimbje shpine, dhimbje nyjesh, dhimbje barku dhe të vjella. Sytë e kuq, fytyra e kuqe, fyti i kuq dhe njollat e kuqe në qiellzë janë gjithashtu të pranishme. Mund të paraqitet verdhëza, ndërsa në raste më të rënda, ndryshime humori”, sqaroi Ministria.