Mexhiti: Mbretëria e Bashkuar do të financojë ndërtimin e një Qendre të re Klinike

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Mexhiti në kuadër të një vizite pune të Mbretërisë së Bashkuar u takua me Ministrin e Eksportit, Departamentit për Biznes dhe Tregti, Lord Malkolm Oford i Garuellit, në të cilën u shpreh gatishmëria e tyre për të mbështetur financimin e projektit për ndërtimin e Qendrës së re Klinike Universitare, shkruan Portalb.mk.

“Në takim, Ministri Mexhiti përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Maqedonisë së Veriut e merr nga Mbretëria e Bashkuar, e cila është partneri i dytë më i madh ekonomik i vendit tonë.”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata diskutuan për zbatimin dhe  promovimin e strategjisë së eksportit në sektorin e shëndetësisë dhe ofrimin e investimeve të huaja direkte, si pjesë e përgjegjësive të Ministrit të Eksportit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Ministri i Eksporteve, Lord Oford i Garuellit, shprehu mbështetjen dhe vullnetin për të vendosur bashkëpunim në të gjitha fushat që janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Qendra e re Klinike vazhdon të jetë vetëm një premtim që deri tani nuk është realizuar. Në vitin 2019, ish-kryeministri Zoran Zaev tha se ndërtimet do të fillojnë në vjeshtë të atij viti. Për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane, por deri tani Qendra e re Klinike nuk është ndërtuar.