Pendarovski për rastin në Onkologji: Është koha që t’i japim fund kulturës së mosndëshkimit për shkelje të rënda të ligjeve

Për aksionin e MPB-së pas informatave se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë  në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve, sot ka reaguar edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski, i cili përmes një kumtese për media tha se ka ardhur koha që të t’i jepet fund kulturës së mosndëshkimit, pasi kjo situatë ka vënë në pikëpyetje cilësinë e trajtimit të pacientëve, transmeton Portalb.mk.

“Informacionet në lidhje me keqpërdorimin e dyshuar të terapisë për pacientët me kancer është tronditës dhe i tmerrshme. Sistemi shëndetësor në vend që t’u ofrojë mbështetje dhe mbrojtje të plotë atyre personave që përballen me diagnozën më të vështirë, dukshëm ka dështuar, gjë që ka humbur besimin jo vetëm te të sëmurët, por është vënë në pikëpyetje cilësia e trajtimit të çdo pacienti të ardhshëm”, thuhet në reagimin e Pendarovskit.

Për të zbardhur plotësisht këtë aferë të madhe, ai është prehur se i mirëpret veprimet e deritanishme të Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njëkohësisht, u bëri thirrje për përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedimeve gjyqësore-prokuroriale, pa selektivitet dhe dënim të duhur për të gjithë ata që do të vërtetohen se kanë kryer vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve.

“Ka ardhur koha që sistemi të konfirmojë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë, të përballemi me format e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe t’i japim fund kulturës së mosndëshkimit të shkeljeve të rënda të ligjit. Nuk do të jemi kurrë një shoqëri e vërtetë evropiane me procese gjyqësore të zgjatura dhe mungesë të përgjegjësisë personale. Për një shoqëri të shëndoshë na duhet shtet ligjor në praktikë, jo në letër. E kuptoj plotësisht zemërimin e qytetarëve që bëjnë thirrje për protesta paqësore, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që përfituan nga vuajtjet e qytetarëve tanë të sëmurë më rëndë”, thuhet në reagimin e presidentit.

Ndërkohë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dje e përshëndeti aksionin e MPB-së dhe të prokurorisë, megjithatë ai bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe të mos sulmohen të gjithë mjekët dhe infermieret, për shkak të disave.

Për rastin dje reaguan edhe dy partitë më të mëdha maqedonase. Nga LSDM kanë shprehur mbështetje për institucionet për zbardhjen e tërësishme të rastit, duke porositur se, askush nuk do të pasurohet në llogari në shëdetit.

“Procedura institucionale është mënyra e vërtetë për zbardhje sa më të shpejtë të rastit dhe përgjegjësi për të gjithë të përfshirët, për gjithë kornizën e përfshirë kohore. Pa keqpërdorime sensacionale dhe pa etiketime të të gjithë mjekëve dhe infermierëve, vetëm zgjidhja e shpejtë dhe profesionale institucionale, në përputhje me ligjet, do ta konfirmojë saktë përgjegjësinë dhe gjithë që janë të përfshirë, vite me radhë, do t’i nxjerrë para drejtësisë. LSDM nuk do të lejojë që kushdoqoftë të pasurohet në llogari të shëndetit të njerëzve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE-ja opozitare kanë akuzuar se, biznesi me barna në Onkologji është mundësuar vetëm me dijeninë e strukturave të lartë në klinikë dhe në pushtet.

“Ky skandal nuk është prej dje, ky skandal zgjat me muaj radhazi, ndërsa ndoshta edhe dy vite. Keqpërdorimi i terapisë së shtrenjtë, e cila në vend që t’i jepet pacientëve ka përfunduar në tregun e zi, nuk ka mundur të ndodh pa dijeninë e strukturave më të lartë në klinikë dhe në qeveri. Pse MPB dhe Prokuroria kanë heshtur gjithë këtë kohë, edhe përkundër reagimeve nga opinioni. Pse kanë lejuar që dikusht të bëjë biznes në llogari të jetës së pacientëve?”, thonë nga VMRO.

Kujtojmë se më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup.

Madje janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës.

Ky aksion vjen pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë  në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.