Për ministrin Mexhiti, pacienti që kërkon vazhdimisht ilaçin “trikafta” është shoumen

 

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, nuk e pranon se ilaçi “Trikafta” nuk është i disponueshëm për të gjithë pacientët. Në një intervistë për “Makfax” ai është ankuar se kur e ka marrë funksionin nuk ka pasur as protokoll e as komision për ilaçin. Tani ai thotë se kanë bërë komision dhe një protokoll dhe kanë marrë mendim pozitiv nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, si dhe ka bërë të ditur se këto ditë do të ketë edhe një takim me anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Cistike, transmeton Portalb.mk.

Për ministrin Mexhiti, pacienti më i zhurmshëm që kërkon ilaçin “trikafta” për të gjithë, është showman.

“Ju e dini që dy muaj më parë doli një pacient dhe bëri shou në televizion. Një pacient nuk mund të vendosë nëse ka nevojë për ilaçe apo jo. Për atë në Maqedoni ka… Unë flas publikisht dhe në mënyrë transparente”, ka thënë Mexhiti për “Makfax”.

Për vërejtjen e prezantuesit se si mund të flasë kështu për një pacient që kërkon ilaçe, ministri tha:

“Dhe si mund të bësh foto në repart, është e ndaluar të bësh foto në televizorë, në kamera”.

Igor Pehçevski, pacient me fibrozë cistike, u bë i njohur për publikun pasi fillimisht kërkoi nga një shtrat spitalor me një pankartë që ilaçi të jetë në dispozicion për të gjithë ata që kanë nevojë. Ai vazhdimisht e përsërit të njëjtën kërkesë në publik, ndërsa kohë më parë ka akuzuar se ka marrë kërcënime nga udhëheqësia e Klinikës së Fëmijëve, se nëse bën deklarata për “trikafta”, nuk do të ketë vend për të në spital për trajtim. Tani Pehçevski kërkon që ministri t’i kërkojë falje publike.

“Dëgjoj dhe shoh ministrin e Shëndetësisë Fatmir Mexhiti. Unë kërkoj një ilaç nga i cili varet jeta ime dhe ai e lejoi veten si mjek dhe ministër i shëndetësisë të thotë për mua se duke kërkuar një ilaç po bëj shou në televizion. Kërkoj nga ju falje publike. Dhe më kryesorja, sillni ilaçin ‘trikafta’ (KAFTRIO) tani dhe menjëherë, e jo për disa muaj, siç e thoni në deklaratat tuaja”, tha Pehçevski.

Më herët nga Shoqata e Fibrozës Cistike kanë thënë se janë ende në pritje të zgjidhjes sistematike.

Ilaçi “Trikafta” mbërriti në vend në fillim të muajit mars dhe menjëherë e morën 12 pacientë. Pacientët me fibrozë cistike e kërkojnë këtë ilaç që prej vitit 2020, prej muajsh kanë apeluar dhe protestuar, duke kërkuar nga shteti që t’u sigurojë ilaçin “trikafta”, i cili përmirëson ndjeshëm shëndetin e tyre,

Më 17 mars, deputetët miratuan Ligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore, i cili do të mundësojë blerjen e drejtpërdrejtë të ilaçit përmes marrëveshjeve speciale ndërmjet shtetit dhe prodhuesit të një ilaçi inovativ që e ka patentuar dhe që nuk ka konkurrencës në treg. Kjo do të mundësojë akses më të shpejtë dhe më të lirë në barna, kryesisht ato për sëmundje të rralla, si dhe për sëmundje specifike dhe të rënda. Ndryshimi i ligjit ka nisur me qëllim blerjen e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, por do të zbatohet edhe për barnat e tjera që kanë një prodhues të vetëm.

Revolta në opinion u shtua pas vdekjes së njërit prej pacientëve me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, më 8 shkurt. Kujtojmë se ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, më 9 shkurt tha se për ilaçin “Trikafta” janë siguruar 140 milionë denarë për 8 pacientë me fibrozë cistike. Fjala është për mjetet buxhetore të dedikuara për Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, përkatësisht për 140 milionë denarë shtesë, tha Sali. Në të njëjtën ditë, anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Kistike i dhanë lamtumirën e fundit para Qeverisë me një minutë heshtje, qirinj dhe lule Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, një nga anëtarët më aktivë të tyre, i cili vdiq më 8 shkurt.