Ish-drejtori i Onkologjisë Vasev u lirua nga akuza për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve

Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë, doktor Nino Vasev, u lirua nga akuza për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve. Përveç tij janë liruar edhe doktor Igor Stojkovski, onkolog nga e njëjta klinikë, si dhe doktoresha Marija Simonovska, transmeton Portalb.mk.

Personat nuk janë shpallur fajtorë për punë të pakujdesshme në shërbim dhe trajtim të pakujdesshëm të të sëmurëve.

Sipas aktakuzës, Vasev, si drejtor i Klinikës së Onkologjisë, nuk ka aprovuar përshkrimin e terapisë adekuate për pacientin me melanoma nga qershori deri në shtator 2018. Në nëntor të të njëjtit vit, ai i ka thënë familjes së pacientit që t’i blejnë ilaçet vetë nga një shtet fqinj. Prokuroria pretendon se pacienti Tomo Ristovski nuk ka marrë terapi për disa muaj në vitin 2018 në Onkologji dhe më pas ka ndërruar jetë.

Prokuroria ka paralajmëruar ankesë kundër aktgjykimit.

Çështja ndaj tre personave të personelit mjekësor ka vazhduar që nga viti 2021.

Publiku është trazuar edhe nga skandali i Onkologjisë. Para Komisionit Hetimor është marrë në pyetje edhe ish-drejtori Vasev, por pushteti dhe opozita nuk kanë arritur marrëveshje për raportin për përgjegjësinë politike.

Për shkak të mbikëqyrje për menaxhim joefektiv të Klinikës së Onkologjisë dhe pasi nuk ishte përgatitur raport për punën e Klinikës, ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në seancën e Komisionit hetimor për punën e Klinikës së Onkologjisë gjatë mandatit të tij para deputetëve, tha se  ka kërkuar dorëheqjen e ish-drejtorit të Onkologjisë, Nino Vasev.

Sali në fjalën e tij lidhur me zhvillimet në Klinikën e Onkologjisë gjatë drejtimit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, si një nga masat për funksionimin e Klinikës, theksoi se ka kërkuar dorëheqjen e ish-drejtorit të Onkologjisë, Nino Vasev për shkak të menaxhimit joefektiv siç tha ai pasi nuk kishte përgatitur raport për punën e Klinikës që i ishte kërkuar.

Në seancën dëgjimore të Komisionit hetimor, ai ka treguar se ka kërkuar kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha klinikat, pra në të gjitha institucionet shëndetësore. Sipas tij, në sistemin shëndetësor ka probleme kronike, por asnjë nga institucionet kompetente nuk është përpjekur t’i zgjidhë ato.

Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së.

Ky rast nxiti reagime të shumta.