ANALIZË: Investimet kapitale në tremujorin e parë “parazgjedhor” në nivelin 14,5% – një pjesë e ministrive me realizim 0

Ministritë që kanë buxhete për shpenzime kapitale që arrijnë në qindra milionë euro, në tremujorin e parë parazgjedhor të vitit kanë pasur ritme shumë të ngadalshme realizimi. Të dhënat e reja të Ministrisë së Financave tregojnë se zgjedhjet e dyfishta megjithatë kanë ndikim mbi investimet publike – për tre muaj realizimi në nivelin e buxhetit të përgjithshëm është vetëm 14,47%, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

MPB-ja me përqindjen më të lartë të realizimit, dy ministri me realizim zero…

Disa nga ministritë për tre muaj kanë realizim të shpenzimeve kapitale nën 1%, e ndër to janë Ministria e Drejtësisë me realizim prej vetëm 0,33% të shumës totale vjetore në vlerë prej 341 335 euro, Ministria e Ekonomisë nga buxheti total për investime publike në vlerë prej 5,4 milionë euro, ka realizuar 0,16%.

Dy ministri për tre muaj kanë realizim “zero” të zërit të shpenzimeve kapitale. Ato janë Ministria e Sistemit Politik e cila për këtë vit ka një buxhet prej 12,500 euro dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e cila këtë vit ka gati 72,000 euro në dispozicion mbi këtë bazë.

Ministria e Punëve të Jashtme sivjet ka buxhet për shpenzime kapitale në vlerë prej 1,4 milionë euro, kurse realizimi në tre muajt e parë është 1,15%. Ministria e Financave ka një realizim prej 3,24%, ndërsa Ministria e Financave – funksionet e shtetit, e cila ka buxhet prej 86,5 milionë euro të destinuara për transferime, ndihmë, mbështetje, për tre muaj nga kjo shumë ka paguar madje 38,7%.

Analiza ekonomike 29.04.2024
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Disa ministri kanë arritur të realizojnë mbi 20% të investimeve kapitale të planifikuara për tre muaj. Kështu, Ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar pothuajse 22% të buxhetit të përgjithshëm në vlerë prej 107,3 milionë euro, Ministria e Mjedisit Jetësor realizoi 24,24% të totalit të buxhetit vjetor prej 34,4 milionë euro, MSHIA-ja nga totali i mjeteve buxhetore në vlerë prej 2,4 milionë eurosh ka shpenzuar 25,2%, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nga 13 milionë eurot e planifikuara për shpenzime kapitale ka realizuar 24,87%.

Disa nga ministritë që disponojnë buxhete më të mëdha për investime publike, kanë shënuar ritme më të ulëta realizimi në tremujorin e parë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka shpenzuar 17,35% të shumës prej 3,5 milionë euro. Ministria e Transportit e cila për këtë vit në bazë të investimeve kapitale duhet të shpenzojë 314,1 milionë euro për tre muajt e parë ka pasur një realizim prej 2,25%, kurse Ministria e Bujqësisë ka realizuar 9,04% të totalit të buxhetit, që kap vlerën mbi 10,2 milionë euro, Ministria e Arsimit e cila disponon me një buxhet vjetor prej 36,7 milionë euro, për tre muaj ka pasur realizim prej 15,55%.

Analiza ekonomike 29.04.2024
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Një përqindje më të lartë të realizimit prej 49,52% ka pasur Ministria e Punëve të Brendshme, e cila këtë vit disponon 17,6 milionë euro për shpenzime kapitale.  Ministria e Kulturës nga mjetet totale në vlerë prej gati 1 milion euro, për shpenzime kapitale ka shpenzuar 38,84%. Sipas ekonomistëve, përqindja e e realizimit të investimeve kapitale në tre muajt e parë shpjegohet me “abstenimin” e zakonshme në muajt e parë të dimrit, kur për shkak të faktorit të motit ka ngecje, kryesisht në projektet e infrastrukturës, por kanë ndikuar edhe zgjedhjet, gjegjësisht periudha parazgjedhore, e cila filloi që në fillim të këtij viti – 2024.