RMV, janë miratuar edhe 100 milionë denarë shtesë për ilaçin “Trikafta”

Ministria e Shëndetësisë informon se janë miratuar edhe 100 milionë denarë shtesë për ofrimin e ilaçit “Kaftrio” në kombinim me “Kalydeco” për pacientët shtesë me fibrozë cistike, transmeton Portalb.mk.

Klinika Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve ka marrë pëlqimin nga Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Byroja e Furnizimeve Publike për të kryer procedurë urgjente me negociata të drejtpërdrejta me distributorin e autorizuar të Vertex.

Nga Klinika për fëmijë, e cila duhet të blejë ilaçin, theksojnë se më 21 nëntor është nënshkruar kontrata mes drejtorëve të Klinikës dhe Alkaloid Cons, dhe e gjithë sasia e ilaçit pritet të dorëzohet në gjysmën e parë të dhjetorit të këtij viti.

“Me 102 regjime terapie, 12 pacientët aktualë që tashmë po marrin ilaçin do të mbulohen edhe për dy muaj (deri në prill 2024), por ilaçet do të jenë në dispozicion edhe për pacientët shtesë që plotësojnë kriteret për “Kaftrio” në kombinim me “Kalydeco”, thonë nga Klinika.

Ilaçi “Trikafta” mbërriti në vend në fillim të muajit mars dhe menjëherë e morën 12 pacientë. Pacientët me fibrozë cistike e kërkojnë këtë ilaç që prej vitit 2020, prej muajsh kanë apeluar dhe protestuar, duke kërkuar nga shteti që t’u sigurojë ilaçin “trikafta”, i cili përmirëson ndjeshëm shëndetin e tyre.

Më 17 mars, deputetët miratuan Ligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore, mundësoi blerjen e drejtpërdrejtë të ilaçit përmes marrëveshjeve speciale ndërmjet shtetit dhe prodhuesit të një ilaçi inovativ që e ka patentuar dhe që nuk ka konkurrencës në treg. Kjo do të mundësojë akses më të shpejtë dhe më të lirë në barna, kryesisht ato për sëmundje të rralla, si dhe për sëmundje specifike dhe të rënda. Ndryshimi i ligjit ka nisur me qëllim blerjen e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, por do të zbatohet edhe për barnat e tjera që kanë një prodhues të vetëm.

Revolta në opinion u shtua pas vdekjes së njërit prej pacientëve me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, më 8 shkurt. Kujtojmë se ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, më 9 shkurt tha se për ilaçin “Trikafta” janë siguruar 140 milionë denarë për 8 pacientë me fibrozë cistike. Fjala është për mjetet buxhetore të dedikuara për Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, përkatësisht për 140 milionë denarë shtesë, tha Sali. Në të njëjtën ditë, anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Cistike i dhanë lamtumirën e fundit para Qeverisë me një minutë heshtje, qirinj dhe lule Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, një nga anëtarët më aktivë të tyre, i cili vdiq më 8 shkurt.