Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor për rastin në Klinikën e Onkologjisë

Deputetja e VMRO – DPMNE-së, Rashella Mizrahi është zgjedhur kryetare e komisionit hetimor në lidhje me skandalin për keqpërdorimin e barnave nga Klinika e Onkologjisë dhe rishitjen e tyre në tregun e zi, të cilën e zbardhën një pjesë të mediave, transmeton Portalb.mk.

Vendimi për zgjedhjen e Mizrahit për kryetare e këtij komisionit u miratua në seancën e sotme të komisionit parlamentare për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Po ashtu, u zgjodh edhe përbërja tjetër e komisionit.

Anëtarë të komisionit hetimor do të jenë deputetët e VMRO – DPMNE-së, Antonio Milloshoski, Gordana Siljanoska – Davkova, Ivanka Vasilevska, Lupço Prenxhov dhe Petar Risteski, deputetët e LSDM-së – Daniella Markovska, Nenad Kociq, Martin Kostovski dhe Marija Georgievska, deputët e BDI-së – Arben Ziberi dhe Bedri Fazli dhe deputit i Aleancës për Shqiptarët, Remzi Mehmedi.

Përbërja e komisionit hetimor duhet të kalojë në seancë plenare. Vendimi për formimin e këtij trupi u miratua me propozim të VMRO – DPMNE-së, pasi mediat publikuan keqpërdorimin e barnave në Onkologji.

Kujtojmë se, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Ky rast nxiti reagime të shumta.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.