Poliklinika e Sarajit pritet të vendoset në funksion 10 ditët e para të janarit, ankesat gjatë punësimeve vonojnë hapjen

Edhe pse zyrtarët thanë që Poliklinika e Sarajit do të nisë me punë këtë muaj, kjo gjë nuk ndodhi. Për shkak të ankesave për konkursin e punësimit të 26 personave në poliklinikë po vonohet hapja, informuan për Portalb.mk nga Shtëpia e Shëndetit – Shkup. Nga atje dhanë edhe një afat, thanë që ky institucion deri më 10 janar të vitit 2024 do të jetë funksional, shkruan Portalb.mk.

Poliklinika e Sarajit është paraparë të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore të Shkupit e cila do të disponojë me ambulantë ditore, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rentgeni dhe farmaci që do ju shërbejë pothuajse 40 mijë banorëve të Sarajit. Që kjo Poliklinikë të vendoset në funksion duhej të ketë rreth 52-54 të punësuar. 26 punonjës veçmë janë pranuar në konkursin e mëhershëm dhe që të përmbushen kriteret e kërkuara me ligj, do të duhet të punësohen edhe 26 të tjerë.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Vullnet Selimi për Portalb.mk tha se Poliklinika e Sarajit do të hapet më së voni më 10 janar të vitit 2024.

I pyetur se përse nuk u hap gjatë muajit dhjetor, siç deklaroi edhe ai vetë, Selimi tha se për shkak të ankesave që kanë pasur në lidhje me punësimet u vonua me hapjen e Poliklinikës.

Përndryshe, në shkurt të vitit 2019 është prezantuar projekti për ndërtimin e Poliklinikës së Sarajit dhe atëherë Ministria e Shëndetësisë ndau 40 milionë denarë nga buxheti dhe që atëherë ishte premtuar se në verën e vitit 2019 do të fillonin ndërtimet.

Ndërtimi i spitalit ishte paraparë të mbarojë në shkurt të vitit 2022, por punimet në terren e kanë zgjatur deri në shtator ku pastaj është pritur nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë furnizim me mjete.

Në maj të vitit 2023 edhe pse objekti ka qenë i përfunduar serish ndërtime ka pasur përreth oborrit dhe hapësirës së poliklinikës.

Në nëntor të vitit 2023, ministri i Shëndetsisë tha se Poliklinika e Sarajit është përfunduar mirëpo ende nuk kishin miratim nga Ministria e Financave për punësim të personelit mjekësor.

Në fund të muajit nëntor, 2023, Ministria e Financave për Portalb.mk konfirmoi miratimin e punonjësve mjekësor. Ministria e Shëndetësisë gjithashtu konfirmoi dorëzimin e dokumentave te Shtëpia e Shëndetit –  Shkup e cila është përgjegjëse për punësimet.

Në fillim të muajit dhjetor, 2023, Shtëpia e Shëndetit – Shkup konfirmoi se ka punësuar 26 punonjës në Poliklinikën e Sarajit dhe se pritej që gjatë muajit dhjetor të vendosej në funksion poliklinika.