Na iku treni

Shkruan: Naim Iljazi

Individi racional duhet të kuptojë se koncepti i “të drejtës” dhe “të gabuarës” është i shumëfishtë. Në fakt, kjo varet më shumë nga mënyra se si një person lidhet me një bindje. Megjithatë, edhe pse ka disa gjëra që pranohen gjerësisht, duhet kuptuar se nuk është e mundur që të gjithë të pajtohen plotësisht me një bindje, ose që një bindje të jetë absolute e vërtetë.

Për të kuptuar të vërtetën, duhet të merret në konsideratë parimi i aplikimit objektiv. Kjo do të thotë se nuk ekziston një “recetë universale” që të përshtatet për të gjithë, sepse çdo “recetë” ose e vërtetë vlen në kontekstin e caktuar. Pra, ekziston vetëm e vërteta e supozuar.

Që të kuptosh racionalitetin, e para gjë është që duhet të kuptosh laramaninë e mendimit, ku shumësi është joracional dhe ndoshta pa asnjëfarë lloj justifikimi. E dyta gjë qëndron në formësimin e një arsyeje të shëndoshë, të cilës nuk duhet t’i bindesh në formë të prerë dogmatike. E treta ka të bëjë mbi vërtetësinë. E vërteta nuk është asgjë, sepse në rrethana racionale ekziston vetëm e vërteta e supozuar. Racionaliteti është sheshi i mendimit dhe jo të vërtetës. Mendimi i shprehur është i arsyeshëm në kohën kur thuhet. Mendimi ndryshon së bashku me kohën dhe mundësitë.

Racionaliteti Shqiptar:

Shqiptarët, kur i lë treni, kurrë nuk thonë “u vonuam,” por thonë “na iku treni!” Konica me këtë aforizëm, më shumë se kushdo tjetër shpjegon mendësinë joracionale të turmës.

Në mes të tjerash, ai përpiqet të shpjegojë se lloji i gjakut të tij që sodit botën, nuk ndalon në asnjë çast, që së paku të mendojë se ndoshta mund ta ketë gabim apo se diçka nuk shkon sepse është vetë-fajtorë ( apo krijues i fajit), por në anën tjetër, turma që e vë në dukje Konica, gjithmonë është në gatishmëri për të drejtuar gishtin nga tjetri dhe për të akuzuar tjetrin se është gabim apo se ka faj apo se nuk ka të drejtë.

Është e habitshme se si ky lloj antroposi i lashtë, me prejardhje pellazge, ilire, dardane, arbnore e së fundmi shqiptare, paj edhe kosovare, kalon kohën me një tërësi sjelljesh dhe bindjesh që nuk kanë asnjëfarë lloj justifikimi racional, por gjithsesi i nënshtrohet logjikës së turmës të “trenit të ikur” kundrejt një vetëvlerësimi autokritik, sepse në didaktikën e tyre të trashëguar shpirtërore, të mendosh racionalisht është dobësi. Ata janë të bindur se i dinë të gjitha, edhe kundrejt të panjohurës, sepse duhet supozuar se ata dinë gjithçka dhe të tjerët asgjë.

Në të kundërtën, turmës së ” trenit të ikur” – recioanaliteti i bëhet zeher dhe i kthehet në ankth, sepse për të është më lehtë për ta kuptuar se kush e solli Doruntinën, se sa të vlerësojë racionalisht një veprim apo mendim.

Gjithsesi, është një sfidë e madhe për individin që të pranojë racionalitetin, në këtë rreth vicioz të egos dhe përpjekjeve për të justifikuar gjithçka. Por në fund duhet mësuar të pranojmë se ekziston gjithmonë diçka për t’u mësuar! Kështu që bëhuni racional duke mësuar. Treni mund të mos ketë ikur, por ne padyshim që jemi vonuar.

*Shqiptarët, kur i lë treni, kurrë nuk thonë “u vonuam (forma racionale)” por thonë “na iku treni (forma joracionale)!”