Qytetarët e Shkodrës përmes marshit u solidarizuan me kërkesat e studentëve në RMV për provimin në shqip

Studentë, intelektualë, aktivistë dhe qytetarë të Shkodrës morën pjesë në një marshim sensibilizues në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të zhvillojnë provimet në gjuhën shqipe si një e drejtë legjitime, raporton BotaSot.

Me pankarta në duar, ata marshuan në qendër të qytetit në shenjë solidariteti.

“Sot janë mbledh studente, përfaqësues të shoqërisë civile , përfaqësues të dhomës së avokatisë Shkodër në lidhje me mbështetjen e studentave Shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që kërkojnë që provinet e tyre shtetërore të zhvillohen në gjuhën amëtare, gjuhën Shqipe”.

“E drejta e arsimit është një e drejtë që buron nga konventa evropiane e të drejtave të njeriut dhe nga protokolli numër dy i kësaj konvente të cilët i japin një detyrim cdo shteti për të arsimuar cdo individ . E drejta po ashtu për tu arsimuar në gjuhën tënde amtare është një e drejtë që po ashtu mbrohet nga këto akte ndërkombëtare dhe studentët Shqiptarë nuk kërkojnë asgjë më tepër se respektimin e ketyre të drejtave që janë të mbrojtura nga këshilli i evropës dhe bashkimi europian.”

“Jemi në mbështetje të Shqiptarëve të Maqedonis e sidomos studentave që ta bajnë provimin e tyre në gjuhën Shqipe.”

“Mendoj se pavarësisht se ne si student dimë shumë gjuhë të botës , gjuha Shqipe mbetet një nga gjuhët më të vështira dhe më të rëndësishme të popullit Shqiptar”, janë shprehur kështu disa qytetarë.

Marshimi u mbyll në sheshin pranë Bashkisë së Shkodrës, ndërsa në ditët në vijim priten edhe angazhime të tjera në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.