Peshku në det, tava në zjarr: Qeveria kërkoi mendim nga Komisioni i Venedikut për jurisprudencën në shqip, VLEN e shpalli si punë të kryer
Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi nevojën për të kërkuar mendim urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Vendimi vjen pas debatit për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe, ndërsa Ministria e Drejtësisë thotë se synon të marrë një vlerësim ndërkombëtar për përputhshmërinë e modelit me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e VLEN-it në rrjete sociale e shpallën si mision të kryer dhënien e provimit në shqip, transmeton Portalb.mk.
Sipas Ministrisë, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet relevante, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe organizatat studentore. Gjithashtu, janë paraparë demonstrime praktike të pjesës me shkrim në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.
“Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Me këtë hap sigurohet një vlerësim i pavarur ndërkombëtar dhe profesional për përputhshmërinë e zgjidhjes së propozuar me Kushtetutën, instrumentet juridike ndërkombëtare dhe standardet evropiane. Në kuadër të kësaj procedure, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve relevante, partitë politike parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e organizatave studentore. Gjithashtu, janë paraparë demonstrime praktike të pjesës me shkrim të provimit në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë. Modeli i propozuar parasheh një sistem unik të dhënies së provimit, me kushte të barabarta dhe kritere të njëjta profesionale për të gjithë kandidatët, pa provime të veçanta apo standarde të ndryshme”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bekim Sali, përmes një postimi në Facebook, e paraqiti vendimin si hap drejt realizimit të së drejtës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai pretendon se pas 35 vitesh pritje, kjo e drejtë po bëhet realitet, duke shkruar se Qeveria i ka dhënë dritën e gjelbër ligjit.
“Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po bëhet realitet! Sot, në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ligjit iu dha drita e gjelbër! Pas 35 vitesh pritje, një e drejtë e merituar po bëhet realitet. E premtuam, punuam dhe po e realizojmë!”, shkroi Sali.
Megjithatë, njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk bëhet fjalë për miratimin përfundimtar të një ligji që garanton dhënien e provimit në gjuhën shqipe, por për kërkimin e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar.
Zgjidhja që propozon ministri aktual i Drejtësisë, Shasivari, për të cilën së fundmi foli edhe kryeministri Hristijan Mickoski, parasheh që pjesa me gojë e provimit të jurisprudencës të mbahet në gjuhën maqedonase, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën është studiuar.
Studentët dhe fakultetet në gjuhën shqipe nuk e kanë pranuar këtë propozim dhe kanë paralajmëruar se, nëse është e nevojshme, do të dalin sërish në protesta. Konkretisht, pesë fakultete ku mësimi zhvillohet në gjuhë të tjera kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.
Ministri i Drejtësisë muajin e kaluar, në një deklaratë për mediat, tha se përmes dialogut me studentët dhe fakultetet synon të arrihet një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht e qëndrueshme dhe evropiane. Ai paralajmëroi gjithashtu se kishte kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias për ndryshimet e propozuara lidhur me mbajtjen e provimit të jurisprudencës, me qëllim që të sigurohet, siç tha, siguri shtesë juridike dhe harmonizim me standardet evropiane.
- LEXO: Fillkov: Provimi i jurisprudencës të mbahet vetëm maqedonisht, zgjidhja e Shasivarit është hibride
- LEXO: Dimitrievski: Do ta braktisim Qeverinë nëse pranohet dhënia e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes
- LEXO: Mickoski: Provimi në gjuhën amtare, por përdorimi i maqedonishtes në drejtësi është rekomandim i Komisionit të Venedikut