Jurisprudenca, Gordana Siljanovska: Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një për shqiptarët

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në TV21, shprehi rezerva lidhur me iniciativën që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke theksuar se në të drejtën është thelbësore saktësia e gjuhës dhe qartësia e shprehjes, transmeton Portalb.mk.

Duke folur për këtë temë, ajo theksoi se do të përmbahet nga një qëndrim përfundimtar, por paralajmëroi se gjuha juridike ka një peshë të veçantë dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e vendimeve gjyqësore.

Siç theksoi, shqetësim të veçantë paraqet mundësia e formimit të komisioneve të ndara për dhënien e provimit të jurisprudencës mbi bazë gjuhësore.

“Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, tha presidentja.

Presidentja iu referua edhe kornizës ligjore, duke theksuar se përveç Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ekziston edhe Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, sipas të cilit çdo qytetar ka të drejtë dhe detyrim ta njohë gjuhën maqedonase, ndërsa institucionet janë të detyruara ta përdorin atë.

Siljanovska-Davkova theksoi se ka mirëkuptim për përdorimin e gjuhëve zyrtare, por rikujtoi se gjykatat kanë mundësi të zbatojnë drejtpërdrejt Kushtetutën dhe të mos zbatojnë një dispozitë ligjore nëse vlerësojnë se është në kundërshtim me aktin më të lartë juridik.

Ajo rikujtoi edhe dispozitat kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, të cilat garantojnë të drejtën për përkthim në procedurat gjyqësore.

“Në procedurën penale dhe civile, çdo palë ka të drejtë për përkthim me shpenzime të shtetit. Por, nëse procedurat, vendimet dhe iniciativat janë në gjuhën maqedonase, atëherë për të marrë një vendim relevant, është e domosdoshme që ajo gjuhë të njihet dhe të komunikohet në të”, nënvizoi presidentja.

Në fund, ajo theksoi se dilema kryesore mbetet e lidhur me mundësinë e keqkuptimeve në procesin juridik.

“Frika ime është që të mos gjendemi të humbur në përkthim”, përfundoi SiljanovskaDavkova.

Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë para dy ditëve protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.

Pas protestës, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria po punon për zgjidhje ligjore, ndërkaq tha se protesta pati konotcion politik dhe përpjekje për destabilizim. Për këtë, reagoi Bujar Osmani nga BDI duke thënë se ka informuar ndërkombëtarët se qeveria tenton të shtrembërojë protestën.

Kronologjia e ngjarjes

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.