Përmes peticionit, studentët në RMV kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe

Studentët shqiptarë që ndjekin ligjëratat në fakultetet juridikë në Maqedoninë e Veriut, përmes një peticioni kanë kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Këtë peticion e kanë nënshkruar 385 studentë, transmeton Portalb.mk.

“Ne, studentët shqiptarë të Fakulteteve të Drejtësisë në Universitetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkruajmë këtë peticion për të kërkuar mbajtjen, zhvillimin dhe materialet e plotë të provimit shtetëror të Jurisprudencës në gjuhën shqipe”, thuhet ndër të tjera në Peticion.

Screenshot nga peticioni.

Ata vlerësojnë se ekzistojnë mekanizmat ligjore dhe mundësitë praktike që provimi të mbahet si në gjuhën maqedonase, edhe në gjuhën shqipe.

Ata vlerësojnë se ekzistojnë mekanizmat ligjore dhe mundësitë praktike që provimi të mbahet si në gjuhën maqedonase, edhe në gjuhën shqipe.

Ndër të tjera në tekstin e përpiluar nga Mevlan Ademi, thuhet se “kërkesa jonë bazohet në faktin se gjuha në të cilën aktualisht realizohet provimi i jurisprudencës, nuk korrespondon me gjuhën e studimit të shumicës së studentëve shqiptar që ndjekin studimet në Fakultetet e Drejtësisë në Universitetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është gjuha shqipe”.

Në shtator të vitit 2025, studenti Mevlan Ademi në emision OpenMic, theksoi se problem shumë i madh mbetet se studentët nuk mund të marrin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe…edhe kjo ngeci pasi nuk ka asnjë lëvizje… nuk është diçka që kërkon buxhet shumë të madh është diçka që bëhet por mungon vullneti”, tha ai. 

Kujtojmë se në nëntor të vitit 2024, Portalb.mk ka shkuar për këtë problem. Nuk ka ligj që shkruan në mënyrë eksplicite se provimi nuk guxon të mbahet në gjuhën shqipe, por që të sigurohet përdorimi i shqipes dhe mos të mbetet peng i “vullnetit” të zyrtarëve, megjithatë nevojiten ndryshime ligjore. Ish-ministri i drejtësisë, Krenar Lloga në fund të mandatit të tij tentoi të ndërmerr hapa më konkrete por s’pati kohë t’i procesojë ndryshimet, ndërkaq pushteti aktual këtë s’e ka fare në plan.