Filipçe: Hyrja e Alta Bankës është pjesë e marrëveshjes mes Mickoskit dhe Vuçiqit, ata e dinin mirë se kush është Macura

Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, thotë se hyrja e Alta Bankës në tregun maqedonas është rezultat i marrëveshjeve politike mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai pretendon se pushteti ka qenë i informuar për personat e lidhur me bankën dhe se nuk mund të arsyetohet me mungesën e informacionit nga ana e institucioneve kompetente, transmeton Portalb.mk.

Në një paraqitje në emisionin „Tema e Ditës“, në kuadër të edicionit të lajmeve në televizionin Sitel, Filipçe tha se ekziston dallim mes mosdijes dhe pjesëmarrjes së vetëdijshme në procesin e hyrjes së bankës në vend.

“Një gjë është të mos dini, ndërsa tjetër gjë është të jeni pjesë e gjithë kësaj loje dhe skeme dhe t’i njihni shumë mirë këta njerëz“, tha Filipçe.

Sipas tij, do të vërtetohet se personat kompetentë kanë pasur detyrim ta mundësojnë hyrjen e Alta Bankës në vend, për shkak të, siç pretendon ai, koncesioneve politike ndaj pushtetit në Serbi.

“Ju garantoj se në fund do të dalë se këta njerëz kanë pasur detyrim ta sjellin Alta Bankën këtu te ne, sepse kanë pasur koncesione politike me regjimin e Aleksandar Vuçiqit, mentorit të Hristijan Mickoskit”, tha kryetari i LSDM-së.

Filipçe vuri në pikëpyetje edhe rolin e kryeministrit në procesin e marrjes në pronësi të Stopanska Bankës – Manastir, duke rikujtuar deklaratën e guvernatorit Trajko Sllaveski se ishte konsultuar me Mickoskin. Ai pyeti gjithashtu pse kryeministri dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, sipas pretendimeve të tij, në një seancë qeveritare u kishin sugjeruar ndërmarrjeve publike që zotërojnë aksione në Stopanska Bankën – Manastir t’ia shesin ato Alta Bankës.

“Cila është lidhja e kryeministrit dhe ministres Koçoska me Alta Bankën e Beogradit? A nuk është kjo dëshmia më e mirë se pronarit të ri po i mundësojnë rritjen e kapitalit të tij?“, tha ai.

Filipçe rikujtoi se LSDM-ja prej më shumë se një viti ka ngritur publikisht shqetësime për rastin e Alta Bankës dhe kërkoi nga institucionet kompetente të përgjigjen nëse i kishin verifikuar pretendimet e partisë që pas paralajmërimeve të para.

2Ne për këtë po flasim dhe po paralajmërojmë tashmë 11 muaj. Konferencën e parë për shtyp në të cilën paralajmëruam për Alta Bankën e Beogradit e mbajtëm në dhjetor të vitit 2025. Një bankë që nga këmbimore u shndërrua në bankë, një bankë për të cilën dyshohet se ka kapital të madh të lidhur me marrëveshje kriminale dhe korruptive në Serbi, për të cilën ekzistojnë dyshime se janë pastruar para përmes kontrabandës së drogës, u lejuan të hyjnë në vendin tonë“, tha ai.

Duke folur për seancën e paralajmëruar mbikëqyrëse në Kuvend, Filipçe tha se qëllimi i saj është të përcaktohet përgjegjësia e të gjithë të përfshirëve në proces dhe të merren përgjigje për prejardhjen e parave, transaksionet financiare dhe veprimet e institucioneve kompetente.

Ai paralajmëroi se në seancë duhet të ftohen rreth 30 persona, mes tyre kryeministri Hristijan Mickoski, presidentja e shtetit, ministrja e Financave, guvernatori dhe zëvendësguvernatorët, ekipi drejtues i Alta Bankës, si dhe përfaqësues të institucioneve që kanë informacione për rrjedhat financiare.

Sipas Filipçes, seanca duhet të zgjasë aq sa është e nevojshme për t’u parashtruar të gjitha pyetjet relevante dhe që publiku të marrë përgjigje.

Në fokus, sipas tij, duhet të jenë edhe pasojat për qytetarët. Ai përmendi pensionistët të cilët presin në radhë për shërbime në filialin e bankës në Manastir.

“Sigurisht se do të zgjasë aq sa duhet. Ka disa kufizime kohore në përputhje me Rregulloren e Punës, por kemi pyetje plotësisht legjitime që duhet të parashtrohen dhe për të cilat publiku duhet të informohet“, tha ai.

Filipçe vlerësoi se ky rast është pjesë e një lidhjeje më të gjerë politike mes Mickoskit, Vuçiqit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban. Ai akuzoi se qëllimi është ndalimi i rrugës evropiane të vendit.

“Rasti me Alta Bankën është vetëm një simbol i thelbit të qeverisjes së këtij pushteti, sepse ky është burimi i të gjitha parave kriminale dhe burimi i financimit për mënyrën se si Hristijan Mickoski mbahej financiarisht kur ishte në opozitë, si erdhi në pushtet në vitin 2024. Kjo nuk është hera e parë që flasim për këtë, kemi folur edhe më herët për boshtin e Orbanit dhe Vuçiqit, për mënyrën se si e sollën Hristijan Mickoskin në pushtet këtu dhe se si ai qeveris tani“, tha Filipçe.

Ai theksoi se hyrja e operatorit hungarez të telekomunikacionit në tregun maqedonas lidhet me përpjekjen për kontroll mbi hapësirën mediatike. Ai bëri një paralele me lidhjet mediatike me Hungarinë dhe rolin e mediave si Euronews dhe Arena Sport M.

Sipas tij, mbi 40 përqind e mediave hungareze janë nën kontrollin e personave të afërt me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orban.

“Nuk kemi nevojë për një tjetër operator telekomunikacioni. Cili është roli i mediave hungareze? Mbi 40 përqind e mediave kontrollohen nga persona të afërt me ish-kryeministrin Orban. Hristijan Mickoski është vetëm një pion i këtij boshti të Orbanit dhe Vuçiqit te ne, me qëllim që vendi të plaçkitet dhe të ndalet rruga evropiane e tij“, tha ai.

Filipçe tha se duhet të përcaktohet nëse emërimi i Sllaveskit në këtë funksion ishte pjesë e një plani më të gjerë për t’ia mundësuar bankës serbe hyrjen në vend.

“A nuk është emëruar Trajko Sllaveski guvernator vetëm për t’i mundësuar Alta Bankës të hyjë në tregun tonë? Edhe kjo është një nga pyetjet kyçe“, tha ai.

Si argument për lidhjen e kryeministrit me këtë proces, ai përmendi pretendimin e Sllaveskit se kishte marrë leje nga Mickoski për të biseduar për këtë çështje.

Filipçe vuri në pikëpyetje edhe rolin e Qeverisë në këtë proces, veçanërisht sa i përket shitjes së aksioneve të ndërmarrjeve publike në Stopanska Bankën – Manastir te Alta Banka. Sipas tij, duhet të përcaktohet pse kryeministri dhe ministrja e Financave, në një seancë qeveritare, u kishin sugjeruar ndërmarrjeve publike t’i shisnin aksionet.

Ai theksoi se pëlqimi për hyrjen e Alta Bankës ishte dhënë më 1 shtator, ndërsa më 23 shtator, vetëm 22 ditë më vonë, në një seancë qeveritare ishte diskutuar për shitjen e aksioneve të ndërmarrjeve publike në Stopanska Bankën – Manastir te e njëjta bankë.

“Cila është lidhja e kryeministrit dhe ministres së Financave me Alta Bankën? A ka pasur marrëveshje paraprake me Davor Macurën që atij t’i mundësohet rritja e pjesëmarrjes në pronësi?“, pyeti Filipçe.

Ai kërkoi përgjigje edhe për mënyrën se si Davor Macura bleu një kompani sigurimesh në Maqedoni, nëse ministrja e Financave kishte dhënë pëlqimin për këtë transaksion, siç parashikon ligji, dhe nëse ishte verifikuar besueshmëria e tij.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.