Buxheti për vitin 2027: Shuma për pensionet do të tejkalojë 2 miliardë euro, ndërsa shpenzimet e Fondit Shëndetësor u afruan në 1 miliard euro
Për herë të parë, në vitin 2027, shuma e mjeteve për pagesën e pensioneve do të tejkalojë 2.000.000.000 euro (dy miliardë euro). Pensionet do të rriten, por në mënyrë “të rregullt”, sipas harmonizimit të përcaktuar me ligj. Buxheti i Fondit Shtetëror për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI) tejkaloi 2.560.000.000 euro, ndërsa buxheti i Fondit Shtetëror të Sigurimit Shëndetësor (FSSH) iu afrua 1.000.000.000 eurove, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Si do të mbushen dhe si do të shpenzohen mjetet në arkat e dy fondeve më të mëdha shtetërore gjatë vitit 2027?
Shpenzimet e FSSH-së dhe të FSPI-së rriten në vitin 2027 – rritet shuma për pagesën për mbrojtje shëndetësore dhe për pagesën e pensioneve
Buxheti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor rritet në 985.054.000 euro, me ç’rast pjesa më e madhe e shpenzimeve, në vlerë prej 843.000.000 eurosh, është rezervuar për zërin “mallra dhe shërbime”, i cili i përfshin edhe pagesat e FSSH-së ndaj institucioneve shëndetësore dhe për shërbimet e mbrojtjes shëndetësore.
“Mbrojtja shëndetësore është planifikuar në nivel prej rreth 58,7 miliardë denarësh, mjete të cilat do të realizohen përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Pjesa më e madhe e mjeteve të planifikuara është dedikuar për financimin e shërbimeve shëndetësore dhe për realizimin e papenguar të pagesave ndaj institucioneve shëndetësore publike”, thuhet në Propozim-buxhetin për vitin 2027.
Kjo do të thotë se, sipas destinimit të mjeteve, vitin e ardhshëm gati 953.000.000 euro do të shpenzohen për shërbime shëndetësore për qytetarët dhe pagesa ndaj institucioneve shëndetësore, shumë kjo që është rritur për 60.000.000 euro krahasuar me këtë vit. Ndërkaq, zëri “përfitime sociale” është pak më i lartë krahasuar me këtë vit, i projektuar në nivel prej 113.036.000 eurosh. Te Fondi Shtetëror i Sigurimit Shëndetësor, “shpenzimet kapitale” janë më shumë se dyfishuar dhe vitin e ardhshëm arrijnë në gati 17.000.000 euro.

Vitin e ardhshëm, krahasuar me këtë vit, transferimet buxhetore drejt FSSH-së rriten në gati 139.000.000 euro, ndërsa transferimet drejt Fondit Shtetëror për Sigurim Pensional dhe Invalidor mbeten të pandryshuara, në nivel pak më të lartë se 1.000.000.000 euro.

Buxheti i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor vitin e ardhshëm do të arrijë në 2.568.900.000 euro, që është për madje 118.000.000 euro më shumë se këtë vit. Në anën e të ardhurave, priten të ardhura më të larta në bazë të kontributeve nga rrogat, në vlerë prej gati 1.500.000.000 eurosh.

Në anën e shpenzimeve të Buxhetit të FSPIM-së, krahasuar me këtë vit, ka rritje në të gjitha zërat. Kështu, shuma për pagesën e rrogave dhe kompensimeve rritet në gati 7.732.000 euro, ndërsa shuma për “mallra dhe shërbime” është planifikuar në mbi 3.323.000 euro. Shuma për “përfitimet sociale”, të cilat në praktikë përfshijnë pensionet, vitin e ardhshëm rritet për 117.200.000 euro krahasuar me këtë vit, duke tejkaluar 2.556.000.000 euro.
Sipas parashikimeve të reja buxhetore për vitin ekonomik 2027, pensionistët mund të presin rritje “të rregullt” të pensioneve.
“Rritja e konsumit privat do të jetë rezultat i të ardhurave më të larta të disponueshme të amvisërive, në kushtet e rritjes së qëndrueshme të pritshme të rrogave, rritjes së mëtejshme të numrit të të punësuarve, rritjes së rregullt të pensioneve… Për pagesat e pensioneve janë planifikuar 123,8 miliardë denarë, duke përfshirë efektin e harmonizimit të pensioneve, në përputhje me zgjidhjen ligjore”, thuhet në dokumentin e ri të buxhetit.
Në vitin 2027, shuma e përgjithshme për pagesën e pensioneve për herë të parë do të tejkalojë 2.010.000.000 euro dhe do të jetë për 4,8% më e lartë krahasuar me shumën në Buxhetin e rebalancuar për këtë vit. Për shpenzime kapitale, FSPIM-ja do të ketë në dispozicion një shumë pak më të lartë se 730.000 euro, e cila krahasuar me këtë vit është ulur për rreth 17.000 euro.