Jurisprudenca: Derisa studentët protestojnë në rrugë Mickoski vazhdon me premtime për zgjidhje, Osmani i BDI-së alarmoi faktorin ndërkombëtar

Pas protestës së djeshme të studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, sot kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria po punon për zgjidhje ligjore, ndërkaq tha se protesta pati konotcion politik dhe përpjekje për destabilizim. Për këtë, reagoi Bujar Osmani nga BDI duke thënë se ka informuar ndërkombëtarët se qeveria tenton të shtrembërojë protestën, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri tha se po kërkohet zgjidhje kushtetuese sipas standardeve ndërkombëtare, pasi Ligji për Gjuhët është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për pjesën e gjyqësorit dhe se Komisioni i Venecias ka dhënë mendim negativ për këtë ligj në pjesën e gjyqësorit.

“Punojmë për zgjidhje, zgjidhja duhet të jetë kushtetuese dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Tani e dini, kërkesat janë një gjë, ndërsa Kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare janë një gjë tjetër dhe duhet ashtu të sillemi, nëse duam të sillemi në mënyrë evropiane, atëherë duhet të respektojmë Kushtetutën dhe standardet evropiane. Është fakt që ligji që është miratuar, Ligji për Zbatimin e Gjuhëve është kontestuar në Kushtetuese, dhe pikërisht në pjesën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit. Është fakt se kemi mendim negativ nga ana e Komisionit të Venecias, kur bëhet fjalë për dygjuhësinë në gjyqësor, sepse fillimisht nuk kemi mjaftueshëm resurse që ta zbatojmë, dhe së dyti nuk garantohet sundimi i së drejtës, respektivisht pabarazi në sundim të së drejtës, dhe për atë ata fuqishëm rekomandojmë që të kthehemi në Ligjin për Gjuhët në vitin 2008-2009. Njëkohësisht është fakt që studentët që studiojnë juridik në gjuhën amtare, në këtë rast gjuhën shqipe, kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit të arsimit në Maqedoni. Kështu që ne kemi formuar Komision. Ai Komision është i përbërë nga ekspertë kushtetues dhe punon për gjetjen e zgjidhjes që do të jetë edhe kushtetuese, edhe sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Mickoski.

Ai theksoi se protesta e djeshme e studentëve kishte konotacion politik, ndërsa për këtë tha se ka njoftuar aleatët në BE dhe NATO.

“Gjithashtu është fakt që dje pamë aktivistë dhe funksionarë të lartë të opozitës që ishin në protestë, dhe asaj i dhanë edhe konotacion politik, ne për këtë i kemi informuar aleatët tanë edhe në NATO, por edhe aleatët tanë në BE, për përpjekje të opozitës që në një mënyrë të bëj destabilizim dhe mendoj se kjo nuk gjeti miratim nga ana e përfaqësuesve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi Mickoski.

Lidhur me këtë deklaratë të Mickoskit menjëherë reagoi Bujar Osmani nga BDI, njëherit ish ministër i Jashtëm. Ai tha se ka informuar përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar mbi përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur në mënyrë të shtrembëruar natyrën e protestave studentore, duke i etiketuar ato si të motivuara partiakisht dhe duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend.

“Theksova se këto përpjekje për të orientuar gabimisht partnerët ndërkombëtarë nuk reflektojnë shqetësimet reale të studentëve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e të drejtave ekzistuese. Në këtë kontekst, sqarova edhe interpretimet e pasakta mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Opinioni i marsit 2025 nuk trajton kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe nuk i referohet legjislacionit tonë, por fokusohet në aspektet praktike të zbatimit, si kostoja dhe mbështetja logjistike, duke theksuar se këto janë standarde minimale që duhet të plotësohen. Në një moment kur kërkohet zbatim i plotë i të drejtave, është thelbësore që komunikimi me komunitetin ndërkombëtar të bazohet në fakte dhe në paraqitje të drejtë të realitetit”, tha Osmani.

Në ndërkohë, njëri nga liderët VLEN, Bilall Kasami dha deklaratë të ndryshme nga kryeministri, ai tha se këtyre ditëve do të formohen grupe të punës për të zgjidhur çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Ende nuk janë formuar, besoj këto ditë do të formohen grupet e punës të cilët do punojnë për ofrimin e zgjidhjes së kësaj problmatike. Ajo garanci ka qenë dhe publike edhe nga ana e kryeministrit. Kanë të drejtën e plotë studentët e drejtësisë të cilët fakultetin e mbarojnë në gjuhën e tyre amtare që edhe provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën e tyre”, deklaroi Kasami.

Mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dje protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.

Kronologjia e ngjarjes

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.