ZNAM-i kërkoi nga VLEN-i mos ta shpallin para kohe fitoren për provimin e jurisprudencës

Partia e Maksim Dimistrieskit, ZNAM, e cila është në koalicion qeveritar së bashku me VLEN-in dhe VMRO-DPMNE-n, ka kërkuar nga partnerët shqiptarë të koalicionit që mos të festojnë në lidhje me rastin e provimit të jurisprudencës, pasi duhet të pritet Komisioni i Venedikut, transmeton Portalb.mk.

“Para se të shpallni fitoren historike, pritni qëndrimet profesionale nga Komisioni I Venedikut”, deklaruan sot nga ZNAM-I, duke e vlerësuar si “eufori politike të VLEN-it”, zgjidhjen ligjore të propozuar rreth çështjes së provimit të jurisprudencës.

ZNAM-i përkujtoi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar mendim nga Komisioni i Venedikut rreth përdorimit të gjuhës shqipe në jurisprudencë, duke vlerësuar se kjo nuk nënkupton miratim të ndryshimeve ligjore në sistemin e jurisprudencës.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot (10.11) e miratoi nevojën për të kërkuar mendim urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Vendimi vjen pas debatit për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe, ndërsa Ministria e Drejtësisë thotë se synon të marrë një vlerësim ndërkombëtar për përputhshmërinë e modelit me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e VLEN-it në rrjete sociale e shpallën si mision të kryer dhënien e provimit në shqip.

Megjithatë, njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk bëhet fjalë për miratimin përfundimtar të një ligji që garanton dhënien e provimit në gjuhën shqipe, por për kërkimin e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar.

Zgjidhja që propozon ministri aktual i Drejtësisë, Shasivari, për të cilën së fundmi foli edhe kryeministri Hristijan Mickoski, parasheh që pjesa me gojë e provimit të jurisprudencës të mbahet në gjuhën maqedonase, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën është studiuar.

Studentët dhe fakultetet në gjuhën shqipe nuk e kanë pranuar këtë propozim dhe kanë paralajmëruar se, nëse është e nevojshme, do të dalin sërish në protesta. Konkretisht, pesë fakultete ku mësimi zhvillohet në gjuhë të tjera kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.

Ministri i Drejtësisë muajin e kaluar, në një deklaratë për mediat, tha se përmes dialogut me studentët dhe fakultetet synon të arrihet një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht e qëndrueshme dhe evropiane. Ai paralajmëroi gjithashtu se kishte kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias për ndryshimet e propozuara lidhur me mbajtjen e provimit të jurisprudencës, me qëllim që të sigurohet, siç tha, siguri shtesë juridike dhe harmonizim me standardet evropiane.