Provimi i jurisprudencës: Ministria e Drejtësisë e sfidon Inspektoratin e Gjuhëve dhe refuzon shqipen, pavarësisht shkeljeve të konstatuara
Pavarësisht se Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues, Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por kanë parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi, shkruan Portalb.mk.
Ministria e Drejtësisë njoftoi për Portalb.mk se e ka pranuar vendimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve lidhur me pamundësinë për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
“Është paraqitur mjet i rregullt juridik – ankesë pranë organit kompetent të shkallës së dytë, Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë nga Marrëdhënia e Punës dhe Mbikëqyrje Inspektuese në shkallë të dytë”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga aty ritheksuan se aktualisht Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban dispozita që lejojnë dhënien e provimit në gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.
Ndërkaq lidhur me nismën e Avokatit të Popullit për këtë çështje, Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.
Në aktvendimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve i cili u soll pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në Ministrinë e Drejtësisë për mosdhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase, inspektorët kanë konstatuar shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe amendamentit 5 të Kushtetutës.
Sipas aktvendimit, Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit Igor Fillkov u tërhiqet vërejtja që t’i mënjanojnë parregullsitë dhe mangësitë e konstatuara.
Më poshtë është raporti i plotë.
Javën e kaluar, Avokati i Popullit pasi hapi lëndë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Me qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht për të mundësuar që provimi i jurisprudencës, si dhe provimi i noterit dhe ai për përmbarues, përveç në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, t’u mundësohet kandidatëve që, me kërkesën e tyre, provimin ta japin edhe në gjuhën që e flasin dhe shkrimin e saj, nëse bëhet fjalë për gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i paraqet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si propozues i autorizuar, Iniciativë për përgatitjen e propozimeve për plotësimin përkatës të dispozitave të: Ligjit për provimin e jurisprudencës, Ligjit për noterinë dhe Ligjit për përmbarimin”, thuhet në dokument.
Avokati i Popullit propozon që në ligjet e shënuara të shtohen dispozita me të cilat përcaktohet se këto provime jepen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, ndërsa për kandidatët që flasin gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesën e tyre, edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj, dhe njëkohësisht të obligohet Ministria e Drejtësisë, si organ kompetent, që për këtë qëllim të krijojë të gjitha parakushtet e nevojshme (materiale, pyetje provimi dhe komisione profesionale për zbatimin e tyre, në gjuhën në të cilën kandidati e jep provimin).
Nga Zyra e Avokatit të Popullit për Portalb.mk thanë se Qeveria duhet të njoftojë për masat dhe veprimet ne ndërmarra më së voni brenda 30 ditëve.
Nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk e konfirmuan se e kanë pranuar nismën.
“Duke pasur parasysh procedurat dhe kompetencat e ministrisë përkatëse, Iniciativa është dërguar te Ministria e Drejtësisë për shqyrtim, nga ku është kërkuar që për aktivitetet e ndërmarra nga ana e tyre të informohen në kohë të njëjtën kohë Qeveria dhe iniciuesi”, thanë nga Qeveria.
Kujtojmë se studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në vend.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Inspektorati i Gjuhëve me vërejtje kundër ministrit të Drejtësisë: Nuk e lejoi provimin e jurisprudencës në shqip, ja çfarë duhet të bëjë (Dokument)
- LEXO: Rina Ajdari: E tërhoqëm Ligjin për jurisprudencën në shqip, qëllimi i Qeverisë është mohimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve (Video)
- LEXO: Jurisprudenca në shqip: Avokati i Popullit i propozoi Qeverisë të bëjë ndryshime ligjore (Dokument)