Siljanovska-Davkova nga Forumi i Paqes në Paris: Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe demokratik
Evropa nuk mund të jetë e plotë pa një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe demokratik, ndërsa siguria evropiane është e pandashme nga siguria e rajonit. Këtë mesazh e përcolli presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në Forumin e Paqes në Paris, gjatë panel-diskutimit me temë „”Mbrojtja e vijës: Sovraniteti në epokën e kërcënimeve hibride”, transmeton Portalb.mk.
Presidentja vlerësoi se bota po kalon një periudhë transformimi të thellë, në të cilën modelet e vjetra janë shteruar, ndërsa të rejat ende nuk janë formësuar. Duke iu referuar konceptit “interregnum” të filozofit italian Antonio Gramsci, ajo paralajmëroi se periudha të tilla krijojnë hapësirë për vakum politik dhe rreziqe gjeopolitike.
“Vakumi politik nuk zgjat kurrë shumë, ndërsa kjo vlen veçanërisht për Ballkanin”, tha ajo.
Duke folur për perspektivën evropiane, ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë periferi e Evropës, por pjesë e saj e natyrshme gjeografike, historike dhe kulturore.
Ajo rikujtoi se vendi ka statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian prej 21 vitesh dhe deri më tani ka marrë 17 raporte pozitive, por ende nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim.
Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese, Siljanovska-Davkova shtroi edhe çështjen e sovranitetit dhe legjitimitetit demokratik, duke theksuar se Kushtetuta nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por edhe kontratë shoqërore.
“Sovraniteti im buron nga qytetarët dhe u përket qytetarëve. Edhe legjitimiteti im gjithashtu“, theksoi ajo, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas presidentes, Bashkimi Evropian nuk duhet vetëm të kërkojë nga vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë më rezistente, por edhe vetë të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së tyre përmes përshpejtimit të procesit të integrimit.
Ajo paralajmëroi se në një botë të karakterizuar nga inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe format e reja të kërcënimeve hibride, përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm në qëndrueshmërinë e jashtme, por duhet të përfshijë edhe stabilitetin e brendshëm demokratik dhe institucional.
Duke iu referuar protestave në disa vende evropiane, në të cilat të rinjtë marrin pjesë aktivisht, Siljanovska-Davkova tha se ata nuk duhet të trajtohen vetëm si e ardhmja, por si pjesëmarrës të barabartë në të tashmen dhe në proceset e vendimmarrjes.
Ajo theksoi se raporti ndaj të rinjve duhet të bazohet në respekt, barazi dhe inkurajim, si dhe në përfshirjen e tyre aktive në marrjen e vendimeve. Dialogu ndërmjet gjeneratave, sipas saj, është parakusht për mbijetesë në një botë që nuk mund të ndërtohet më mbi izolimin.
Në panel-diskutim morën pjesë edhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.