Nuk e di kur ka qenë hera e parë që kam lexuar Migjenin. Ka qenë Poema e Mjerimit, Luli i Vocërr apo Bukuria që Vret. Nuk e them dot regjistrimin kronologjik të arkivuar në kujtesë, siç nuk mund të qartësosh ngjarjet traumatike të fëmijërisë që kanë lënë gjurmë shpirtërore. Por e di se, që nga momenti i parë më kanë mbërthyer thellë vargjet e tij. Më ka magjepsur pa masë mendimi i tij për të goditur me grusht një objekt me përmasa gjigante në krahasim me objektin që ka përballë. Dhe çdoherë që e rilexoj më kaplojnë po të njëjtat drithërima sikurse herën e parë. Do të ishte shqetësuese, nëse nuk është mbresëlënëse aftësia e vargjeve të tij për të ta dhënë çdoherë të njëjtin emocion, nëse jo edhe më të fortë.
A thua vallë të kem pasur mllef të akumuluar që në moshë aq të vogël? Çfarë mund t’i ketë ndodhur vallë një vajze 8 apo 9 vjeçare që ta ketë revoltuar deri në atë shkallë?! Sepse, përpos ngjarjeve të zakonshme me të cilat përballet çdo fëmijë i rëndomtë, nuk mbaj mend ndonjë ndodhi dramatike në atë moshë.
Sepse, besoj se të gjithë si fëmijë të asaj moshe janë përballur me njerëz që janë dukur të ligë, personazhe negative e me autoritet të pakuptimtë. Për shembull, shitësi që ju mashtron kur blen karamele, ajo plaka e lagjes që nuk duronte dot brohoritjet e fëmijëve, një nxënës në klasë që privilegjohej nga arsimtarët sepse kishte prindër të rëndësishëm, shoqja e bankës që vidhte lapsa, apo ai shoku i grupit që, sërish për arsye të pakuptimta, i jepte vetes autoritet të bënte “ligjin” e të tmerronte gjithë fëmijët në rrugë. Mund të kenë qenë edhe ato problemet e padukshme që brengosnin prindërit.
Tani kur i mendoj këto situata, nga perspektiva e një të rriture, natyrisht se më duken qesharake. Si mund të të acarojnë aq shumë broçkullat e këtilla, sa të të ngjallin një revoltë të pashërueshme, që të ndjekë si fantazmë gjatë gjithë jetës?! Është pothuajse marrëzi!
Por, siç edhe mund të pandehni, nuk qëndroj mirë me memorien e viteve fëmijërore dhe me ecurinë e ngjarjeve. Andaj, nuk e them dot se si dhe në çfarë mënyre këto ndodhi u bënë normale në jetën time. Dalëngadalë iu dorëzova normave të shoqërisë që arritën të më shkëputnin nga sinqeriteti fëmijëror, nga ëndrrat, nga shprehia për të shndërruar një broçkull në dramë të vërtetë. Mësova se, për të mbijetuar, duhet të përshtatem. Të mos kërkojë shumë, të mos ëndërrojë, të mos fiksohem pas gjërave që janë të pamundura në këtë botë, të kënaqem me thërrimet në kanistër… siç bëjnë gjithë njerëzit normal që jetojnë në këtë shoqëri, apo jo?!
Madje, mësohesh të përshtatesh aq shumë, sa e gjen veten të irritohesh me gjëra të vogla. Për shembull irritohesh se pse është aq nxehtë në gusht dhe nuk bie shi, irritohesh pse nëntori është i zymtë dhe tani bie shi, pastaj pse të del gjumi 2 minuta para alarmit që ke vënë, irritohesh pse është sot e hënë dhe jo e diel, apo pse nuk e kape semaforin e gjelbër, pse ka dhe njerëz të tjerë që shkojnë në punë në kohën e njëjtë…
Derisa kupton se, nuk ke arritur që të çrrënjosesh nga qenia jote fëmijën brenda vetes që kishte aq mllef sa donte të godasë me grushtin e vogël ligësinë që të shpërfaqet me madhësinë e malit…kriza bëhet edhe më e thellë kur kupton se, derisa t’i ke shtypur brenda vetes mllefin fëmijëror, shitësi që mashtronte është tani një inspektor i shitur, plaka e lagjes sigurisht nuk është më, por fëmijët vazhdojnë të jenë të tepërt në planet për ardhmërinë, nxënësi i privilegjuar është tani një biznesmen që ka blerë gjysmën e qytetit, shoqja që vidhte lapsa është tani gjykatëse, shoku që bënte ligjin në lagje tani është prokuror dhe vazhdon të shtyp të dobëtit. Problemet e prindërve, tani janë bërë probleme tona dhe njëjtë sikurse ato, edhe ne nuk kemi fuqi që t’i zgjidhim. Mali i heshtur sot është një sistem i tërë që ka mësuar të mbijetojë duke ushqyer ligësinë, duke shpërblyer mediokritetin dhe duke ndëshkuar këdo që guxon të mos pajtohet me të.
Dhe sa më shumë që e kupton këtë, aq më shumë rritet mllefi që mbërthen qenien tënde dhe nga pamundësia për të shpërthyer të gllabëron nga brenda dalëngadalë derisa nuk e njeh më veten… Po. Duhet të ketë qenë “Bukuria që vret” takimi im i parë me Migjenin.