Është shpallur konkursi rajonal i poezisë “Ars Lyrica Balcanica – çmimi rajonal i poezisë“

Me qëllim nxitjen e krijimtarisë poetike bashkëkohore dhe forcimin e dialogut kulturor ndërmjet vendeve të rajonit, sot zyetarisht është shpallur konkursi rajonal i poezisë “Ars Lyrica Balcanica – Çmimi Rajonal i Poezisë“. Konkursi ka karakter kulturor jofitimprurës dhe është konceptuar si një platformë afatgjatë për afirmimin e poezisë lirike në Ballkan, me theks të veçantë në shprehjen autentike poetike, larminë gjuhësore dhe tendencat bashkëkohore poetike, transmeton Portalb.mk.

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë poet dhe poete nga vendet e Ballkanit, të cilët mund të aplikojnë me krijim poetik të pabotuar më parë, me temë të lirë, jo më të gjatë se 40 vargje, të shkruar në gjuhën amtare të autorit.

Aplikimi dorëzohet në mënyrë elektronike dhe duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme: emrin dhe mbiemrin, qytetin (vendbanimin) dhe shtetin, e-mail adresën dhe numrin e telefonit.

Autorët mund, por nuk janë të detyruar, ta dërgojnë poezinë edhe të përkthyer në gjuhën angleze dhe/ose italiane.

Në kuadër të konkursit do të ndahen çmimi i parë, i dytë dhe i tretë “Ars Lyrica Balcanica“, si dhe vlerësime të veçanta: Çmimi “Kalos“ (Kalòs Prize) për përsosshmëri poetike dhe zë të veçantë autorial, “Kurora e Lirikës”(Crown of Lyric) për shprehje të jashtëzakonshme lirike dhe “Oda e Artë” (Golden Ode) për krijimin poetik me unitet të theksuar tematik dhe stilistik, ndërsa sipas vendimit të organizatorit mund të jepet edhe një çmim i posaçëm poetik.

Konkursi “Ars Lyrica Balcanica“ përfaqëson një seksion të veçantë në kuadër të konkursit ndërkombëtar poetik “Il Parnaso – Premio Angelo La Vecchia“, i cili mbahet në Canicattì, Sicili, Itali.

Në këtë drejtim, një përzgjedhje e krijimeve më të mira poetike nga Ballkani do të marrin pjesë edhe në çmimin “Il Parnaso – Premio Angelo La Vecchia“ për vitin 2026, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Afati për dërgimin e krijimeve është 20 maj 2026.

Pas përfundimit të konkursit, të gjithë pjesëmarrësit do të marrin një falënderim elektronik për pjesëmarrje, ndërsa autorët e vlerësuar do të marrin diplomë për çmimin e fituar.

Rezultatet e konkursit do të shpallen publikisht, ndërsa autorët e vlerësuar do të njoftohen ekskluzivisht përmes adresës zyrtare elektronike: [email protected]

Pas përfundimit të konkursit, nëse plotësohen kushtet dhe sigurohet një numër i mjaftueshëm pjesëmarrësish, do të ekzistojë mundësia e botimit të një antologjie me krijime të përzgjedhura poetike. Detajet do t’u dërgohen më vonë autorëve përmes e-mail adresave nga të cilat janë regjistruar.

Konkursi përfaqëson një urë të re kulturore ndërmjet zërave poetikë të Ballkanit, me qëllim krijimin e një hapësire ku poezia mbetet një gjuhë e përbashkët përtej kufijve dhe dallimeve.

Me paraqitjen e aplikimit, pjesëmarrësit japin pëlqimin që të dhënat e tyre të përpunohen dhe të përdoren ekskluzivisht për qëllimet e konkursit, përfshirë shpalljen e rezultateve dhe pjesëmarrjen në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me “Il Parnaso – Premio Angelo La Vecchia“.

Aplikim dhe informacione mund të bëhet në këtë email: [email protected]