Jurisprudenca në shqip: Opozita shqiptare dorëzoi rezolutë në Kuvend

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot u dorëzua Rezoluta për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, si një iniciativë që buron drejtpërdrejt nga studentët e drejtësisë, të cilët kanë kërkuar respektimin e një të drejte të garantuar me ligj, transmeton Portalb.mk.

Nga Fronti Evropian thonë se Përkundër faktit se studentët shqiptarë ndjekin dhe përfundojnë studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në vend, atyre u pamundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.

“Kjo situatë përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit. Rezoluta e dorëzuar në Kuvend, e mbështetur nga deputetët shqiptarë të opozitës, kërkon nga institucionet kompetente – në veçanti nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për Provimin e Jurisprudencës – që të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të ligjit, duke siguruar organizimin e provimit edhe në gjuhën shqipe”, thonë nga Fronti Evropian.

Ata theksojnë se provimi i jurisprudencës është një provim profesional për verifikimin e njohurive juridike dhe nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mekanizëm diskriminues apo pengues për studentët mbi bazë gjuhësore.

“Moszbatimi i plotë i ligjit krijon një situatë të pabarabartë dhe diskriminuese, duke kufizuar qasjen e barabartë në profesionin juridik për një kategori të tërë studentësh. Një praktikë e tillë është e papranueshme në një shtet që synon sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore. Përmes kësaj rezolute kërkohet përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret, me qëllim që të garantohet trajtim i barabartë dhe respektim i plotë i të drejtave gjuhësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thanë nga Fronti Evropian.

Ndryshe, studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut më 26 shkurt kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet. Ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.