Inspektim i jashtëzakonshëm për jurisprudencën në shqip: Fillkov akuzon për presion, Idrizi thotë se është në bazë të ligjit
Inspektorët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve dje (17 shkurt) kryen inspektim të jashtëzakonshëm në Ministri të Drejtësisë për refuzimin e ministrit të Drejtësisë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe i cili erdhi si kërkesë nga peticioni i studentëve. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov inspektimin e konsideron si presion politik ndërsa insiston se provimi duhet të mbahet vetëm në maqedonisht. Drejtori i Inspektoratit thotë se inspektimi është në bazë të ligjit, shkruan Portalb.mk.
Inspektorët nga Ministria e Drejtësisë kanë kërkuar dokumentacion, ndërsa kjo procedurë pritet të zgjasë jo më shumë se 30 ditë.
Inspektori Fitim Ramadani për Alsat ka thënë se janë në procedurë të mbledhjes së dëshmive për gjendjen faktike, komplet materialet për mbarëvajtjen e provimit të jurisprudencës, duke filluar nga kërkesa, procesverbalet, aktvendimi për formimin e Komisionit, të gjitha në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka tre ditë afat për ta përmbyllur mbikëqyrjen e jashtëzakonshme.
“Nëse e njëjta refuzon për të zbatuar amendamentin 5 të Kushtetutës dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë me siguri që do t’i ndërmarrim të gjitha hapat dhe veprimet të cilat na garanton ligji për Inspektoratin dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve”, deklaroi inspektori Herolind Limani.
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov tha se mbikëqyrja po kryhet me urdhër të drejtorit dhe bazuar në iniciativa anonime.
“Deri tani, iniciativa të tilla nuk janë dorëzuar as nuk janë prezantuar, dhe sipas shërbimeve të Ministrisë së Drejtësisë, nuk mund të përcaktohet nëse ekziston baza ligjore për një mbikëqyrje jashtëzakonshme”, tha Fillkov.
Ministri theksoi se që nga themelimi i Inspektoratit të Gjuhëve e deri më tani është kryer vetëm një mbikëqyrje e rregullt në vitin 2023.
“Nuk është kryer asnjë mbikëqyrje jashtëzakonshme për ndonjë procedurë tjetër, as për procedurën e dhënies së provimeve profesionale, përfshirë provimin e drejtësisë. Dua të theksoj se provimi i drejtësisë përbën një kusht kyç për hyrjen në gjyqësi, prokurori publike, avokaturë, noterë dhe ekzekutim, ku të gjitha këto ligje parashikojnë shprehimisht kushtin e njohjes aktive të gjuhës maqedonase”, tha Fillkov.
Në ndërkohë, drejtori i Inspektoratit të Gjuhëve, Arsim Idrizi i hodhi poshtë pretendimet e ministrit Fillkov se inspektimi është bërë pa plotësimin e bazave ligjore.
“Baza është peticioni, pastaj është iniciativa dhe në fund është detyra zyrtare, Domethënë me nenin 58 të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese me detyrë zyrtare, unë kam të drejtë t’u jap urdhër inspektorëve për një çështje të caktuar. S’ka të bëjë këtu me presione dhe me gjëra të tilla, ne vetëm po e kryejmë detyrën tonë zyrtare dhe në fund besoj dhe shpresoj se të gjithë do të reflektojmë me zgjidhjen e kësaj çështje shumë jetike për studentët”, tha Idrizi për Alsat.
Në ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur kallëzim penal ndaj ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov për shkak të refuzimit të ofrimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase.
Çështja e provimit të jursprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe ditëve të fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Pas kësaj ka pasur reagime dhe përplasje të shumta politike.
BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët kanë kritikuar qeverinë, BDI madje dorëzoi edhe propozim-ligj, ndërkaq VLEN në pushtet premtoi se do ta zgjidhin këtë çështje. LSDM-ja tha se e përkrah që provimi të jepet edhe në shqip.
Ministria e Drejtësisë mbeti e qëndrimit se provimi nuk mund të mbahet në shqip.
Kryeministri tha se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip ndërsa më pas më pas tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut.
Pati përplasje edhe midis zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe ministrit të Drejtësisë Igor fillkov.
Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast.
Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.