Shkruan: Ismail ARSLLANI
Esad Mekuli, shkrimtari ynë i shquar, një personalitet erudit i kohës, mbahet në mend edhe me poezinë e tij të njohur kushtuar shqiptarit sharrëxhi në kurbet, në rastin konkret në Beograd dhe njihet me vargun „O, vlla, me sharrë në krah…”, e shkruar më 1936, gjatë kohës kur poeti studionte në Beograd. Ajo trajton fatin e shqiptarëve të varfër, punëtorë krahu, që përpiqeshin të siguronin bukën e gojës me punë të rënda. Sharrëxhiu bëhet simbol i varfërisë, i mërgimit, i poshtërimit shoqëror dhe i pabarazisë kombëtare.
Së këndejmi, del konstatimi se mentaliteti i një populli është tërësia e mënyrave të të menduarit, e bindjeve, zakoneve, vlerave morale, paragjykimeve dhe qëndrimeve që formësohen ndër shekuj dhe që ndikojnë në mënyrën se si ai popull e percepton botën, vetveten dhe të tjerët. Ai është, në njëfarë mënyre, kujtesa e padukshme kolektive e një shoqërie.
Te shqiptarët, mentaliteti është formësuar nga historia e trazuar, tradita, familja, besa, mikpritja, krenaria dhe përpjekja për të ruajtur identitetin. Por, krahas këtyre vlerave, ai bart edhe disa trashëgimi që mund ta pengojnë zhvillimin shoqëror: paragjykimet, konservatorizmin e tepruar, mendësinë patriarkale dhe vështirësinë për ta pranuar mendimin ndryshe. Një popull nuk duhet të jetë rob i mentalitetit të vet, por duhet të ketë aftësinë ta vërë atë në pikëpyetje dhe ta ndryshojë.
Këtë dimension të mendësisë e ndriçon bukur edhe filozofi gjerman Immanuel Kant, me thirrjen e tij të famshme: “Guxo të përdorësh mendjen tënde!”. Kjo është, në thelb, thirrje për emancipimin e mendjes nga varësia prej mendimeve të të tjerëve dhe prej paragjykimeve të trashëguara.
Ndërsa Albert Einstein ka një mendim domethënës: “Nuk mund t’i zgjidhim problemet tona me të njëjtën mënyrë e të menduarit që i krijoi ato.”
Niveli i zhvillimit të një populli nuk matet vetëm me pasurinë, arsimin apo institucionet e tij, por edhe me aftësinë për ta evoluar mentalitetin. Kësisoj, kjo çështje në rrafshin politik dhe të qenit si një “verigë” në një qeveri koalicioni me palën tjetër në Maqedoninë e Veriut shkon përtej një koalicioni qeveritar, një partie apo një mandati politik. Ajo prek një çështje shumë më të thellë: a ka arritur shqiptari të çlirohet nga psikologjia e nënshtrimit apo vasalitetit?
Mendoj se lidhja ndërmjet paradigmës së “sharrëxhiut” të Esad Mekulit dhe etiketimit politik të “vasalitetit” është interesante nga pikëpamja filozofike dhe sociologjike. Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Sharrëxhiu i Mekulit është para së gjithash njeriu i varfër, i detyruar të shesë fuqinë e krahëve për të siguruar bukën e gojës. Tragjedia e tij nuk është mungesa e dinjitetit, por një sistem shoqëror që ia kufizon lirinë dhe mundësinë për ta mbrojtur dinjitetin.
Ndërkaq, vasaliteti politik i shqiptarëve është diçka tjetër: është marrëdhënia në të cilën një përfaqësues, një subjekt politik apo një institucion e vendos vullnetin e vet në varësi të një pushteti tjetër, duke cenuar autonominë e përfaqësimit që i është besuar.
Këtu fillon thelbi i dilemës sonë. Këtu shihet një lidhje interesante ndërmjet dy figurave: Sharrëxhiu i Mekulit përfaqëson një njeri që përpiqet të mbijetojë në kushte të padrejta shoqërore. Ai punon për të tjerët, ndërsa shpërblimi i tij mezi i mjafton për jetesë.
Nëse e zhvendosim këtë figurë në politikë, mund të krijojmë një metaforë: “Sharrëxhiu politik” është ai që punon për të ruajtur vendin e vet në pushtet, pa arritur të përcaktojë drejtimin e vet politik; “Vasali politik” është ai që, për të ruajtur privilegjet dhe pozitat, pranon që vendimet thelbësore të merren nga një autoritet tjetër; ndërsa përfaqësuesi autonom është ai që hyn në koalicion, por nuk heq dorë nga programi, përgjegjësia ndaj votuesve dhe e drejta për të kundërshtuar partnerin kur interesat e përfaqësuesve të tij cenohen.
Problemi këtu fillon kur përfaqësimi politik shndërrohet në përfaqësim formal: ke ministri, ke zëvendëskryeministër, ke deputetë, por nuk ke ndikim proporcional me përgjegjësinë që ke marrë para votuesve.
Duhen shtruar pesë kritere për ta shqyrtuar këtë çështje, për çdo subjekt politik shqiptar që merr pjesë në qeverisjen e Maqedonisë së Veriut.
E para është autonomia e vendimmarrjes. A mundet përfaqësuesi politik shqiptar të marrë një qëndrim të ndryshëm nga partneri maqedonas, kur çështja prek interesat e qytetarëve që përfaqëson?
E dyta: Dinjiteti në marrëdhëniet e koalicionit. A trajtohet si partner i barabartë politik, apo vetëm si numër votash që i nevojiten shumicës parlamentare?
E treta: Përgjegjësia ndaj votuesve. A u raporton qytetarëve për atë që ka realizuar, apo e arsyeton çdo kompromis me faktin se është pjesë e qeverisë?
E katërta, është aftësia për të kundërshtuar. Një partner koalicioni duhet të ketë edhe guximin politik për të thënë jo. Nëse nuk mund të kundërshtosh asnjë vendim të partnerit, atëherë duhet pyetur se çfarë kuptimi ka autonomia jote.
Dhe, e pesta: Gatishmëria për të sakrifikuar postin për parimin. Ky është ndoshta testi më i rëndësishëm. Sepse dinjiteti politik nuk provohet kur gjithçka shkon mirë, por kur interesat e pushtetit bien ndesh me parimet që ke shpallur.
Kësisoj na shtrohet një çështje jetike: A jemi çliruar nga mentaliteti i sharrëxhiut? Këtu qëndron një paradoks: mund të kesh përfaqësues shqiptarë në shumë institucione, por kjo nuk do të thotë domosdo se ke arritur subjektivitet të plotë politik. Përfaqësimi pa autonomi mund të bëhet një formë tjetër e varësisë.
Një shoqëri nuk bëhet e lirë vetëm sepse përfaqësuesit e saj ulen në tryezën e pushtetit. Ajo bëhet e lirë kur këta përfaqësues kanë guximin të mbrojnë interesin publik edhe përballë atyre që ua kanë hapur derën e pushtetit.
Atëherë shtrohet pyetja nëse duam vetëm të kemi shqiptarë në pushtet, apo të kemi pushtet vendimmarrës për shqiptarë?
E para mund të arrihet me poste dhe emërime. E dyta kërkon vetëdije politike, kulturë institucionale, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, dinjitet.