Dimitrievski: Do ta braktisim Qeverinë nëse pranohet dhënia e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes

Lëvizja ZNAM nuk do të pranojë që provimi i jurisprudencës të jepet në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase. Nëse Qeveria merr një vendim të kundërt, partia është e gatshme të largohet nga koalicioni qeveritar, deklaroi kryetari I kësaj partie, Maksim Dimitrievski, në një intervistë për televizionin Sitel, transemton Portalb.mk.

Dimitrievski tha se qëndrimet e ZNAM-it lidhur me këtë çështje janë të njohura për kryeministrin Hristijan Mickoski, por se partia është e gatshme për bisedime brenda koalicionit qeveritar.

“Në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të kërkoj një takim të liderëve, sepse ne asnjëherë nuk kemi diskutuar hapur për këtë çështje me partnerët tanë në Qeveri, në mënyrë që t’i përcaktojmë të gjitha vijat tona të kuqe dhe të qartësojmë se çfarë do të nënkuptojë kjo në të ardhmen për shtetin dhe për të gjithë sistemin tonë të drejtësisë”, deklaroi kryetari i Lëvizjes ZNAM.

Sipas tij, çështja e provimit të jurisprudencës nuk është e izoluar, por prek edhe aspekte më të gjera të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të rregullimit shtetëror. Sipas tij, pas kërkesave për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë fushë qëndrojnë qëllime më të gjera politike. Në këtë drejtim, ai vlerësoi se në vend ekzistojnë forca që dëshirojnë që shteti, nga republikë, një ditë të shndërrohet në konfederatë.

“Maqedonia është republikë, por fatkeqësisht në vend ekzistojnë forca që një ditë dëshirojnë ta shohin atë si konfederatë. Në vazhdimësi shfaqen individë të caktuar që bëjnë thirrje për më shumë të drejta dhe për bashkimin e komuniteteve lokale, por mbi baza etnike e jo territoriale. Për më tepër, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, doli njëri nga ish-liderët e partive shqiptare dhe tha: ‘Është koha ta shpallim Iliridën’. Maqedonia nuk mund të mbetet thjesht një shtet në formën e republikës, nëse avancimin e të drejtave individuale të komuniteteve të tjera etnike që e ushtrojnë këtë të drejtë e konsiderojnë si të drejtë kushtetuese që duhet ta komplikojë edhe më tej shtetin. Kjo e lehtëson punën vetëm për një grup të vogël qytetarësh, të cilët janë pjesë përbërëse e shtetit, por njëkohësisht e komplikon më tej të gjithë procesin për të gjithë të tjerët“, deklaroi ai.

Kërkesat që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, të cilat sipas Dimitrievskit po paraqiten në opinion në mënyrë shumë naive, janë në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias të vitit 2019 për përdorimin e një gjuhe tjetër përveç maqedonishtes në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, pasojat do të jenë të mëdha për vetë funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.

Kërkesën për dhënie të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët e artikuluan edhe përmes disa protestave në Shkup, ndërsa mbështetje morën edhe nga kolegët e tyre nga Prishtina dhe Tirana.