Orët

Në të folurën e përditshme të Tetovës, por jo vetëm, kur dikë e zë frika, ose kur dikush tjetër e tremb papritur deri në palcë dikë tjetër, përgjigjja që vjen vetvetiu dhe natyrshëm pa e menduar dy herë është „m’i fajte orët”, ose „m’u fajtën orët”, apo në të folurën standarde domethënë m’u futën orët. E dëgjon te fëmija që trembet në errësirë dhe te plaka kur dëgjon një krismë në oborr ose nga bubullima. E thotë i rrituri kur i del papritur një qen përpara, e thotë kushdo që e zë befasia në çast të papritshëm.

Por çfar janë Orët!? Përgjigjja na çon shumë më larg se e folura e përditshme. Në mitologjinë shqiptare, Ora është qenie që çdo njeri e ka me vete që nga lindja dhe që e shoqëron përgjatë gjithë jetës, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin dhe me udhën që i është shkruar. Çdo njeri ka orën e vet, si një hije që nuk duket, por që di gjithçka për të. Kjo figurë mitike ka mbijetuar si në bestytni, ashtu edhe në gojën e popullit, si në gojdhëna ashtu dhe në të folur. Sidoqoftë, sot figura që qëndronte pas saj është zbehur mbase deri në harresë. Përdorimi i shpeshtë e ka bërë të zakonshme, dhe e zakonshmja rrallë e ruan madhështinë e saj, ku sot përdorët si fjalë për të shpjeguar vetëm një fenomen. Ndërkaq kuptimi mbi orët jeton vetëm në kujtesën e më të vjetërve (por nuk mund të them se në të njëjtën kohë ajo është ruajtur e dokumentuar në kujtesën institucionale).

Dikur orët ishin kudo. Dëgjonin çdo fjalë që dilte nga goja e njerëzve, dëgjonin çdo bekim dhe çdo mallkim të tyre dhe pastaj nxitonin fluturimthi t’i përmbushnin ato. Ndaj në atë botë fjala nuk ishte kurrë thjesht fjalë, por një premtim që dikush e merrte seriozisht, dhe për këtë arsye ekzistonte dhe besa. Ndoshta institucioni zakonor i besës nuk kishte të bënte vetëm me nderin, por shihej si nevojë, sepse aty ku fjala kthehej në fat, njeriu duhej të mësonte ta mbante atë që thoshte, dhe më pas të mbante dhe përgjegjësi për fjaën e thënë, si diçka që nuk ka kthim prapa.

Natën orët mblidheshin për të kryer ritualin apo detyrën e tyre më të vjetër, caktimin e fatit të fëmijës që sapo kishte ardhur në jetë, dhe shpërndanin apo caktonin mbi të fatet e tij. Mbi foshnjën që ende nuk dinte asgjë për botën, ajo që thuhej atë natë mbetej e thënë për një jetë të tërë që do e trashëgonte fëmija. Por jo të gjitha orët ishin të mira. Besohej se kishte orë që ndanin fat të mbarë dhe i dilnin në ndihmë njeriut në ditë të vështira. Kishte edhe orë të liga, që sillnin frikë e mallkime, fatkeqësi, e deri vdekje. Gjuha e popullit në Tetovë e ka ruajtur këtë anë të errët edhe në një shprehje tjetër, po aq të gjallë, „m’u plas tëmthi” apo “m’plasi tomtha”.

Në kujtesën e gjyshërve tanë, orët mund të merrnin çfarëdo trajte që donin. Shfaqeshin si zogj, si bisha, si gra, ose si gjarpërinj. Shpesh vinin me ushtimë e me frymë të fuqishme, si era që then degët para se të shpërthejë stuhia. Askush nuk mund ta dinte me siguri nëse krahu që rrahu në dritare, apo gjarpri që u zvarrit pranë pragut, ishte thjesht ajo që dukej. A nuk është paradoksale që ne sot, njerëz të arsyes dhe të informacionit, ende i thërrasim orët sa herë na zë frika? Mbase nuk besojmë më tek ato, por pa to nuk dimë ta emërtojmë frikën edhe sot.

Në të njëjtin bosht fjale formësohet edhe një variant tjetër, ku vendin e orëve e zënë lingjirët. „M’u fajtën lingjirët”, thotë njeriu që e ka zënë tmerri. Për mua ky emër u përket ndoshta orëve të liga, atyre që nuk ndajnë fat por frikë. Sepse ato u sulen njerëzve egërsisht, ndjellin të keqen dhe kanë fuqi ta çmendin njeriun. Sipas besëtytnisë popullore shqiptare në trevat e Tetovës, ato gjenden kudo. Ndaj mendoj se rrënja e fjalës duhet kërkuar brenda vetë shqipes, te i lig dhe ligësia, ose te lëngata. Kjo është ndjesia ime për të folurën, mbase një hipotezë, por jo dhe e verifikuar nga gjuhëtarët apo studiues tjerë si kulturolog e antropolog. Sa për sqarim, lingjirët dhe lugati janë dy gjëra të ndryshme dhe nuk duhet ngatëruar njëra me tjetrën. Është e dhimbshme ta pranosh, por mitologjia shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka mbetur gati e paprekur nga studimi. Sot vetëm e folura e përditshme dhe gjuha e ruan atë që studiuesit e kanë lënë pas dore.

E megjithatë, fjala ka mbetur dhe jeton. Sa e bukur tingëllon në të folurën e Tetovës, që përdoret ende, dhe përtej asaj që pothuajse askush sot nuk ia di më kuptimin. Sa herë themi se na u futën orët apo lingjirët, pa e kuptuar me nënvetëdie thërrasim rojat e lashta të fatit tonë.