Rexhepi: Ku shkruan se provimi i jurisprudencës jepet vetëm në maqedonisht? Mickoski: Do të gjejmë zgjidhje për provimin e jurisprudencës në shqip

Çështja për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në seancën kuvendore. Deputeti i Frontit Europian, Skënder Rexhepi, për këtë tha se nuk dëshiron ta parashtrojë pyetjen ministrit të drejtësisë sepse, siç u shpreh, ministri ka një fjalor shovinist dhe nuk meriton t’i drejtohet, prandaj përgjigje kërkoi nga kryeministri Mickoski, raporton TV21.

“Natyrisht nuk i jap luks ministrit të drejtësisë që t’i bëj pyetje sepse konsideroj se fjalori i tij shovinist, i cili fshihet pas patriotizmit të tij të brendshëm të rremë, nuk meriton që t’i drejtohem. Kryeministër, përpara meje është ligji për dhënien e provimit të drejtësisë, ju pyet publikisht që të më thoni dhe publikut se në cilin nen të këtij ligji thuhet se provimi i drejtësisë duhet të jepet në gjuhën maqedonase”, tha Skënder Rexhepi nga koalicioni “Fronti Europian”.

Kryeministri Mickoski duke cituar Kushtetutën u përgjigj se për të mundësuar që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, është e nevojshme që kjo të harmonizohet me ligjin. Ai siguroi se po punohet për zgjidhjen e këtij problemi.

“Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë mund të përdoret një gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonase në përputhje me ligjin. Nëse lexoni Ligjin për gjuhët, do të arrini në përfundimin se Ligji për gjuhët është lex generalis, nuk mund të tejkalojë lex specialis siç është provimi i drejtësisë. Ne si Qeveri, duke pasur parasysh se nuk kam kohë t’ju përgjigjem plotësisht, po ju them shkurtimisht: po kërkojmë një mënyrë dhe do ta gjejmë atë mënyrë”, u shpreh kryeministri Hristjan Mickoski.

Javën e kaluar, ministri i drejtësisë, në pyetjen nëse mbetet në qëndrimin se nuk ka mundësi për të dhënë provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ai vetëm u përgjigj shkurt se kjo çështje për të është e mbyllur.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut.

Pati përplasje edhe midis zëvendëskryeministrit Bekim Sali dhe ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.