Kasami dhe Durmishi e prenë shiritin: Bulevardi “Bllagoja Toska” u hap për përdorim

“Pas dy dekadave, Bulevardi “Bllagoja Toska” tashmë realitet! Ta gëzojnë qytetarët!”, Kështu shkruan kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili në shoqëri të kryetarit të Këshillit Komunal, Besar Durmishi e preu shiritin e hapjes zyrtare, njofton Portalb.mk.

Në hapjen zyrtare, kanë marrë pjesë dhe qytetarë, por edhe të punësuar në Komunën e Tetovës.

Kryetari i Komunës, Kasami në përurimin e bulevardit theksoi se sot po promovojnë një segment të rëndësishëm të rrugëve të Tetovës me çka, siç tha, shpresojmë dhe besojmë se do ta lehtësojmë komunikacionin dhe lëvizjen e qytetarëve.

“Në ditët në vazhdim do të vazhdojmë edhe me promovimin e projekteve të tjera të cilët janë në realizim e sipër për të vetmin qëllim që, Tetovën ta bëjmë qytet më të mirë për të jetuar, një qytet ku do të kemi rrugë të asfaltuara, ku do të kemi rrugë dhe ambiente të pastra, ku do të kemi kushte evropiane për jetesë ashti siç të gjithë e duam”, tha Kasami.

Portalb.mk në vazhdimësi ka raportuar për këtë projekt dhe e ka ndjekur nga afër realizimin e tij.

Punimet për vazhdimin e bulevardit rifilluan me 16 maj 2022 nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e vitit 2021, tek ura nën spitalin e qytetit dhe që u la në gjysmë. Kujtojmë që në një pjesë të kësaj rruge, nga shkolla Tekstile është shtuar asfalt, ndërkaq dhjetorin e kaluar u zgjidh edhe problemi me shtëpinë e fundit që pengonte vazhdimin e bulevardit.

Premtimet për përfundimin e këtij bulevardi datojnë gati se para një dekade, i njëjti çdo herë është premtuar para zgjedhjeve, ai është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.