Kovaçevski: Amerika me mijëra kilometra ka parë korrupsion te Merko, organet tona hetuese nuk shohin

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se organet hetuese dhe gjyqësore duhet që të pyeten se si SHBA ka ardhur deri tek informatat se kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko është i përzier në korrupsion madhor ,ndërkaq ata nuk kanë arritur deri tek ato të dhëna në periudhën e kaluar, njofton Portalb.mk.

“Pretendimet që janë theksuar si bazë për vendosje në listë të zezë të kryetarit të Strugës dhe familjes së tij janë serioze. Bëhet fjalë për disa baza dhe prej asaj është dhe porosia se institucionet tona, flas për hetuese dhe gjyqësore, duhet që t’i shqyrtojnë pretendimet të cilat janë të theksuara në kumtesën e Stejt Departamentit. Gjithashtu, ata duhet që të pyeten se si SHBA ka ardhur deri tek informatat e tilla nga të cilat e bazojnë vendimin e tyre dhe gjenden disa mijëra kilometra larg nga këtu, ndërkaq organet e tona nuk kanë ardhur deri te të dhënat e tilla gjatë viteve të kaluara. Kjo vetëm edhe njëherë e konfirmon atë se sistemit tonë hetues dhe gjyqësor duhet t’i bëhet remont i përgjithshëm duke e pasur parasysh se dashurojmë që të jetojmë në shtet evropian”, tha Kovaçevski.

20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Gjatë ditës së djeshme, koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.