U arrit marrëveshje mes banorit dhe Komunës së Tetovës për rrënimin e objektit që pengon vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska”

Edhe pse ishte dhënë urdhri nga Komuna e Tetovës që objekti i fundit që pengon vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” sot të rrënohet, kjo nuk u bë. Komuna e Tetovës arriti marrëveshje me banorin e objektit. Autoritetet komunale dhe policia u takuan me të dhe siç njoftoi banori Islam Rushiti, afati për t’u larguar është vazhduar për dy javë, por nga Komuna thanë se ky afat është një javë. Prona sipas vendimit të gjyqit është në pronësi të Komunës së Tetovës, ndërsa banori nuk pajtohet me çmimin nga eksproprijimi, për të cilën rasti është ende në gjykatë dhe familja ka kërkuar “super ekspertizë”, shkruan Portalb.mk.

Rushiti deklaroi se pas dy javëve autoritetet do të fillojnë me rrënimin e shtëpisë, ndërsa brenda këtyre dy javëve duhet të zhvendosin gjësendet e tyre. Komuna u ka gjetur banesë për banim të përkohshëm deri sa të gjejnë vend tjetër. Ai thotë se nuk janë të kënaqur me çmimin e eksproprijimit dhe për këtë ata do vazhdojnë me procesin gjyqësor në lidhje me çmimin.

“Njëherë për dy javë është vendosur, edhe dy javë do të jemi këtu. Brenda këtyre dy javëve ne duhet ta lirojmë vendin dhe ata të na japin paratë- vlerësimin sa e ka, dhe të bëhet plani të rregullojmë aty. Na kanë thënë se kërkesën tonë do e marrin parasysh, sa ka thënë vlerësimi, edhe ne e lirojmë dhe puna është e pastër. Nuk jam kundër rrugës”, tha Rushiti.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës thonë se ajo tokë me vendim të gjykatës është pronë e komunës dhe se të gjitha  procedurat tekniko-administrative veç më kanë përfunduar.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi tha se me familjen në fjalë, ku sot ishte inspektorati komunal dhe policia për të zhvendosur familjen, kanë rënë në marrëveshje që brenda një jave (7 ditë) ata ti largojnë të gjitha mjetet apo materialet të cilat i kanë aty.

“Komuna ka gjetur një vendbanim ku do e mbulojë edhe qiranë deri sa pala të zhvendoset në vendin e saj me mjetet prej eksproprijimit. Të gjitha procedurat gjyqësore janë të përfunduara sa i përket çështjes së eksproprijimit, ai vend tani më është në pronësi të Komunës së Tetovës.  Në asnjë moment komuna nuk vepron jashtë kornizave ligjore. Gjithçka që duhet të bëhet që ai bulevard të hapet do përfundojë të gjitha proceset”, deklaroi Durmishi.

Vlera sipas eksproprijimit për këtë pronë është 76 mijë euro, ndërkaq Rushiti pretendon se sipas një vlerësimi tjetër kjo shumë është 122 mijë euro, për çka kërkojnë të marrin këtë shumë dhe se procesi në gjyq për vlerën e eksproprijimit vazhdon.

Banori në fjalë në total ka 420 metra katror tokë prej të cilave  350 metër katror i merren- i eksproprijohen dhe për atë vlerë ai e merr atë shumë të cilën e ka vendosur eksproprijimi, gjegjësisht drejtoria  e pronësisë në kuadër të Ministrisë së Financave. Pjesa tjetër 75 metra katror ngelet në pronësi pronarit.

Durmishi tha se familja mundet të vazhdojë procesin gjyqësor në lidhje me çmimin, por procesi gjyqësor për eksproprijimin ka përfunduar dhe ata kërkojnë në bazë të vendimit të gjyqit, që të mënjanohet ai objekt, pasi ajo pronë është në emër të komunës dhe komuna kërkon të realizojë projektin e saj.

Punimet për vazhdimin e bulevardit rifilluan me 16 maj 2022 nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e vitit 2021, tek ura nën spitalin e qytetit dhe që u la në gjysmë.

Nuk ka një afat kokret kohor se kur do përfundojë bulevardi pasi siç ka thënë kryetari i komunës, kjo varret edhe nga institucione tjera, pasi ata si komunë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet nga ana e tyre.

Ky projekt financohet nga TAV, Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës ndërsa punimet i realizon Kompania NB.

Premtimet për përfundimin e këtij bulevardi datojnë gati se para një dekade, i njëjti çdo herë premtohet para zgjedhjeve, ai është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button