2026 do të përfundojë pa subvencionim për biçikleta në Tetovë, komuna jep shpresa për vitin 2027
Viti 2026 do të përfundojë pa subvencionim të qytetarëve për biçikleta nga Komuna e Tetovës, ndërsa autoritetet lokale thonë se kjo masë pritet të futet në plan për vitin 2027, shkruan Portalb.mk.
Komuna e Tetovës deri tani nuk e ka përmbushur premtimin për subvencionimin e biçikletave, kështu tregon matrica e monitorimit nga programi për mbështetjen e zgjedhjeve.
Siç tregon monitorimi, në Programin për Mbrojtjen e Ambientit të Komunës së Tetovës për vitin 2026 janë paraparë 1.250.000 denarë për subvencionimin e biçikletave.
“Megjithatë, në planin buxhetor është identifikuar shumë prej 1.500.000 denarësh për kategorinë e përgjithshme të mbrojtjes së ambientit, e cila përfshin edhe aktivitete tjera. Nuk është e qartë në cilin zë buxhetor janë siguruar mjetet për këtë masë”, thuhet në raportin e monitoruesve për periudhën prill-qershor.
Më tej monitorimi për periudhën korrik-shtator tregon se “komuna nuk ka ndarë mjete buxhetore për vitin 2026 për realizimin e kësaj mase”.
I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo masë nuk parashihet të realizohet këtë vit, ndërsa do shihet që e njëjta të përfshihet në buxhetin e vitit 2027.
“Ne kemi pasur një situatë të pakëndshme me subvencionimin e nxënësve, 2-3 raste kur kemi marrë për të paguar ato 100 eurot që ua premtuam nxënësve dhe që solli vendim Këshilli, fatkeqësisht mjetet janë marrë nga përmbaruesi. Përderisa ne nuk menaxhojmë të vetëm me buxhetin, të kota janë atë që do t’i kalojmë në Këshill dhe të cilat nuk mund ti’ realizojmë pagesat, prandaj ne do bëjmë plan të tillë për vitin 2027 kur do ta kemi në menaxhim të plotë buxhetin dhe atë që do e premtojmë do e kemi më të lehtë ta realizojmë”, tha Kasami.
Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar në mandatin e kaluar se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhej deri në përfundim të mandatit, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.
Ndërsa në qershor 2026, Kasami paralajmëroi janë duke përgatitur projekt për shteg për biçikletat dhe trotinetët elektrikë, por nuk dha detaje se kur kjo do të realizohet në terren.
Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi.
Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt. Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.
Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit.
Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro.
Pas largimit të shtegut të biçikletave në vitin 2021, që atëherë nuk është ndërtuar asnjë shteg i ri.