Kush e ndërton “Bllagoja Toskën”, TAV-i apo qytetarët? Qëndrime të kundërta nga këshilltarët e BDI-së dhe Komuna e Tetovës (Video)

Bulevardi “Bllagoja Toska” në Tetovë ende nuk është gati, sipas autoriteteve komunale rruga pritet të lëshohet në përdorim gjatë kësaj pranvere. Punimet për të njëjtin u ndaluan për shkak të kushteve klimatike, ndërsa do të rifillojnë ditëve në vijim. Megjithatë, dje duke folur për atë se deri ku janë punimet për këtë rrugë, këshilltarët nga BDI-ja dhe autoritetet komunale shprehën mendime të kundërta në lidhje me atë se kush e ndërton këtë bulevard, shkruan Portalb.mk.

Sipas asaj që u deklarua dje në seancën e këshillit komunal, 64 përqind e punimeve për këtë bulevard janë realizuar, ndërkaq ka mbetur përqindja tjetër për tu realizuar.

Pas kësaj filluan dilemat se kush e ndërton këtë bulevard.

“Shpresojmë se TAV do e kryejë më shpejtë këtë bulevard dhe do mund ta shfrytëzojnë qytetarët e Tetovës”, tha Veton Murati, këshilltar komunal nga BDI-ja.

Ndërkaq kësaj Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunë iu përgjigj se nuk është TAV që e ndërton bulevardin.

“TAVI është ajo që jep mjetet, operatori është ai që kryen punët dhe Komuna është ajo që e mbikëqyr punën. Vazhdojmë ta mbikëqyrim, vazhdojmë ta çojmë deri në fund si projekt. Kemi shpresa që deri në fund të pranverës ky bulevard ta ketë hapjen e vetë dhe ta shfrytëzojnë që gjithë qytetarët”, tha Jonuzi.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi duke përsëritur fjalët e Jonuzit në lidhje me TAV tha se puna më e rëndësishme e eksproprijimit që nuk është bërë për dhjetë vite apo pesëmbëdhjetë vite, është bërë për disa muaj nga udhëheqësia aktuale.

Pas kësaj filloi edhe dialogu mes Durmishit dhe këshilltarit komunal nga BDI-ja. Liridon Disha.

Disha: Besar sa shtëpia i keni eksproprijuar ju për tetë muaj?

Durmishi: Pesë.

Disha: Sa janë eksproprijuar domethënë? (në të kaluarën)

Durmishi: Trembëdhjetë, për tetë vite. Trembëdhjetë për tetë vite me pesë për tetë muaj. Dallimi është si nata me ditën.

Disha: Për dymbëdhjetë vite ose tetë vite janë ndërtuar rrugë dhe shumë gjëra, nuk shohim asgjë asnjë projekt konkret. Mos e devijojmë debatin.

Durmishi: I bie që është eksproprijuar një vend në periudhë kohore prej një viti, ndërsa ne në periudhë kohore për tetë muaj kemi eksproprijuar pesë vende.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pas kësaj, në foltore doli kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili tha se politika e TAV si duket ka qenë shumë e suksesshme ku i bëjnë reklamë pa para, me paratë e qytetarëve.

“Nuk e bën investimin TAV, pra TAV për një koncesion që është dashur ta paguajë prej diku 40 milionë eurove për ndërtimin e aeroportit kargo të Shtipit, për shkak se në ndërkohë Qeveria ka kuptuar se nuk është i arsyeshëm ndërtimi i një aeroporti të tillë, është vendosur që këto mjete të u ndahen komunave për realizim të projekteve, pra bëhet fjalë për para të qytetarëve. Ata para qytetarët a i paguajnë në komunë, a i paguajnë në Qeveri apo kompanive për koncesione që i marrin është çështje formaliteti. Realisht ata para janë të qytetarëve dhe ata para sot kthehen te qytetarët. Pra nuk e realizon TAVI, projekti realizohet me para të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Kasami.

Debatin për këtë pikë mund ta shihni në videon më poshtë duke filluar nga minuta 53:07.

Portalb pyeti kryetarin e këshillit komunal se kur konkretisht do jetë gati bulevardi? Kështu u përgjigj Durmishi:

“Gjithçka është në procedurë, planifikohet që në pranverë të këtij viti gjithçka të jetë funksionale. Në fillim të marsit me fillimin e pranverës ndërmarrja do fillojë punimet dhe në afat sa më të shkurtër kohor do e përfundojë.”

Kujtojmë që këtë afat kohor dhjetorin e kaluar e deklaroi edhe kryetari i komunës.

Punimet për vazhdimin e bulevardit rifilluan me 16 maj 2022 nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e vitit 2021, tek ura nën spitalin e qytetit dhe që u la në gjysmë. Kujtojmë që në një pjesë të kësaj rruge, nga shkolla Tekstile është shtuar asfalt, ndërkaq dhjetorin e kaluar u zgjidh edhe problemi me shtëpinë e fundit që pengonte vazhdimin e bulevardit.

Premtimet për përfundimin e këtij bulevardi datojnë gati se para një dekade, i njëjti çdo herë premtohet para zgjedhjeve, ai është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button