Kasami: Kemi problem me një banor për hapjen e “Bllagoja Toskës”

"Bllagoja Toska", edhe pse Kasami deklarativisht "kishte zgjidhur" të gjitha kontestet pronësore, së fundmi demantoi të njëjtën

Bulevardi “Bllagoja Toska” u premtua se do të hapet në muajin shtator-tetor, por kjo nuk u bë gjatë kësaj periudhe. Punimet aty po zhvillohen, mirëpo duhet të rrënohet një shtëpi afër urës nën “Spitalin e Tetovës” që të bëhet lidhja e bulevardit. Për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në paraqitjen e tij të fundit në Click Plus tha se kanë problem me një banor, pavarësisht se kohë më parë kishte deklaruar se të gjitha çështjet pronësore-juridike janë zgjidhur, shkruan Portalb.mk.

Kasami u shpreh se ky projekt nuk ka nisur të realizohet në kohën e tij por pyet se përse nuk u realizua para se ai të vinte në krye të komunës. Ai shprehet se kur diçka nuk bëhet kritikohet kryetari i komunës (në këtë rast ai), ndërsa kur diçka bëhet, sipas tij lavdërohet Qeveria.

“Edhe sot ne e kemi problemin me një banor, për të cilin ne punojmë ashtu si e kërkon ligji që ta vendosim aty ku duhet të jetë, t’i sigurojmë banesë apo shtëpi me mjetet të cilat i ka marrë nga eksproprijimi i tokës dhe të zhvendoset aty ku duhet konform ligjit. Unë nesër nëse nuk e vazhdoj këtë angazhim, Bllagoja Toska nuk hapet”, tha Kasami duke shtuar se bulevardi do të hapet, por pa definuar se kur, premtimi kohor paraprak u shkel.

Shtëpitë që duhet të prishen mbi të cilat duhet të kalojë bulevardi "Bllagoja Toska", foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shtëpitë që duhet të prishen mbi të cilat duhet të kalojë bulevardi “Bllagoja Toska”, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Paraprakisht këto prona kishin probleme të natyrës pronësore-juridike, por që autoritetet komunale informuan se pronarët janë pajtuar me vlerat e eksproprijimit dhe problemi është zgjidhur. Megjithatë, deklarata e fundit e Kasamit tregon që kjo nuk është bërë.

Mbi këto toka, duhet të kalojë pjesa e bulevardit ku do të bëhet lidhja nga ura nën Spitalin e Tetovës me pjesën tjetër që të nxjerr te shkolla e mesme tekstile.

Pyetëm në Sektorin për veprimtari komunale se deri ku janë punët dhe kur pritet të hapet bulevardi konkretisht, por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Bulevardi “Bllagoja Toska”, 9 nëntor 2022, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bulevardi “Bllagoja Toska”, 9 nëntor 2022, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Punimet për vazhdimin e bulevardit rifilluan me 16 maj 2022 nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e vitit 2021, tek ura nën spitalin e qytetit dhe që u la në gjysmë.

Investitor në këtë projekt është Qeveria e RMV-së, ndërsa financohet nga TAV. Punimet në këtë Bulevard i realizon Kompania NB, kurse Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës.

Premtimet për përfundimin e këtij bulevardi datojnë gati se para një dekade, i njëjti çdo herë premtohet para zgjedhjeve, ai është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button