Rifilluan punimet për vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë, këtë herë prej te shkolla tekstile (VIDEO)

Sot rifilluan punimet për vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska” i cili premtohet thuaj se çdo periudhë parazgjedhore nga kandidatët për kryetarë/e komune. Udhëheqësia aktuale e komunës, punët i filloi nga vendi te Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar, tek ura nën spitalin e qytetit, shkruan Portalb.mk.

Gjatë kohës që gazetari i Portalb.mk ishte në terren për të parë rrjedhën e punimeve, aty kishte disa automjete dhe mjete punuese dhe tre punëtorë të cilët në atë moment ishin duke shkuar në pauzën e drekës.

This slideshow requires JavaScript.

Komuna e Tetovës paraprakisht njoftoi se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar siç janë zgjidhja e çështjeve pronësore juridike dhe eksproprijimi i tokës. Edhe kryetari i komunës, i pyetur nga Portalb.mk pohoi se çështja e eksproprijimit ka përfunduar.

“Tani nuk ka asnjë pengesë për fillimin e punimeve. Ekspertët nga komuna e Tetovës që nga fillimi i mandatit të kryetarit Kasami, kanë theksuar se një nga problemet parësore që duhet zgjidhur është hapja e këtij bulevardi, i cili tani po bëhet realitet. Për këtë janë dhënë të gjitha lejet e nevojshme. Shpresojmë që në një kohë shumë të shkurtër bulevardi do të jetë në funksion”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Komuna nuk ka dalë ende me datë konkrete se kur do të përfundojnë punimet për këtë bulevard, i cili shihet si një nga arteriet kryesore për lehtësimin  e komunikacionit në qytet.

Punët për vazhdimin e këtij Bulevardi prej rreth 460 metra, nga pjesa ndër spitalin deri te shkolla tekstile, filluan me 27 gusht të vitit të kaluar dhe duhej të përfundonin në afat prej 90 ditëve, por aty është punuar vetëm disa metra, vetëm deri tek ura.

Investitor në këtë projekt është Qeveria e RMV-së, ndërsa financohet nga TAV. Punimet në këtë Bulevard i realizon Kompania NB, kurse Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës.

Në programin e tij për menaxhimin me Tetovën, si zgjidhe për problemet e urbanizmit, Kasami e përmend edhe vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska”.

“Lëvizja Besa do të angazhohet për ndërtimin dhe meremetimin e infrastrukturës së dobët. Prioritet: hapja e tre bulevardeve si “arterie” kryesore të qytetit: Bulevardi “Qendër-Ilinden”, vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe bulevardit “Vidoe S. Bato”, thuhet në Programin Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të Kasamit.

Ky bulevard u promovua disa herë gjatë mandatit 8 vjeçar të ish kryetares Teuta Arifit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button