Pa pronë, por me borxh ndaj Komunës së Tetovës, pensionistit iu bllokua llogaria

Një pensionist 81 vjeçar nga Komuna e Tearcës mbeti për disa ditë pa mundësi të tërheqë pensionin e tij, pasi Komuna e Tetovës përmes përmbarimit ia bllokoi llogarinë bankare për shkak të një borxhi të papaguar të tatimit në pronë. Megjithatë, familjarët theksojnë se prona për të cilën kërkohet pagesa nuk është në pronësi të tij. Sipas tyre, zyrtarët komunalë e kanë pranuar gabimin dhe kanë premtuar kthimin e mjeteve të ndaluara për tatimin, por jo edhe shpenzimet bankare. Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske për këtë rast, shkruan Portalb.mk.

M. E., pensionist 81 vjeçar nga fshati Dobrosht i Komunës së Tearcës, është përballur me bllokimin e llogarisë bankare për shkak të një borxhi prej 4.692 denarësh ndaj Komunës së Tetovës, për tatimin e papaguar të një prone që, sipas familjarëve të tij, nuk e posedon.

Sipas aktvendimit për përmbarim të detyrueshëm me ndalim të mjeteve monetare nga llogaria transaksionale, bëhet fjalë për një pronë në rrugën 161, pa numër, në Tetovë, e cila përfshin 430 metra katrorë tokë dhe 72 metra katrorë shtëpi/banesë.

Megjithatë, djali i pensionistit, A. E., në një deklaratë për Portalb.mk thotë se babai i tij nuk ka asnjë pronë në Tetovë.

“Ne nuk kemi as shtëpi, asnjë pronë në Tetovë. Nuk e dimë as ne nga e kanë nxjerrë atë pronë në emrin tonë. Nuk kemi as në kadastër asnjë pronë të tillë në qytet”, tha A. E.

Foto nga A.E.
Foto nga A.E.
Foto nga A.E.
Foto nga A.E.

Për këtë rast, sipas tij, ata e kuptuan në fund të muajit tetor, kur babait të tij iu transferua pensioni në llogarinë bankare, por për shkak të bllokimit nuk mundi t’i tërheqë paratë.

“Prej atë ditë që i është lëshuar pensioni më 30/31 tetor, xhirollogarinë e ka pasur deri të enjten (5 nëntor) të bllokuar, as s’ka mundur të tërheqë para, me gabimin e komunës”, tha A. E.

Ai tregon se për zgjidhjen e problemit ka shkuar disa herë në Komunën e Tetovës. Sipas tij, zyrtarët komunalë e kanë pranuar se bëhet fjalë për gabim dhe kanë thënë se do t’i kthejnë mjetet e marra për tatimin, por jo edhe shpenzimet bankare prej rreth 2.700 denarësh, të cilat janë shkaktuar gjatë procedurës për zhbllokimin e llogarisë.

“Kam qenë tre herë në komunë, ata e pranojnë gabimin, thonë se do të kthehen mjetet, por jo të gjitha harxhimet, vetëm mjetet për tatim, ndërsa shpenzimet e bankës të gabimit të atyre, 2.700 denarë nuk i kthejnë, sepse ato i ka marrë banka. Realisht duhet komuna t’i kthejë, pse t’i ndalë”, tha A. E.

Ai shprehet i revoltuar që babai i tij është përballur me këtë situatë, pa pasur, siç thotë, asnjë detyrim ndaj Komunës së Tetovës.

“Një javë ditë të lënë të bllokuar pa para, pa pasur asnjë faj. Në rregull po t’i kishim borxh komunës, por nuk i kemi. Ata ia hedhin fajet DAP-it, por komuna e ka dërguar në DAP, pastaj DAP-i e ka bllokuar”, tha ai.

Sipas familjarit, pensionisti nuk ka pranuar asnjë paralajmërim paraprak në adresën e banimit për borxhin e pretenduar apo procedurën e përmbarimit. Me rastin, siç thotë A.E. janë njoftuar pas bllokimit të llogarisë.

Përveç pasojave financiare, ai tregon se kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen shëndetësore të pensionistit, i cili është në moshë të shtyrë dhe me shëndet të rënduar. Sipas djalit të tij, shqetësimi i shkaktuar nga bllokimi i llogarisë ka bërë që ai të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.

Lidhur me këtë rast, A. E. paralajmëroi se planifikon të iniciojë procedurë gjyqësore përmes avokatit.

“Pa pasur asnjë faj, të maltretojnë”, u shpreh ai.

A.E. theksoi se deri dje në llogarinë e babait të tij nuk u janë kthyer mjetet financiare.

Portalb.mk verifikoi përmes aplikacionit të Komunës së Tetovës “TEKLIK”, se në emrin dhe numrin amë të personit M.E. nuk është e regjistruar pronë në Komunën e Tetovës.

Foto: Printscreen nga TEKLIK
Foto: Printscreen nga TEKLIK

Pyetëm edhe Kadastrën e Tetovës, nga aty na e konfirmuan se në emër këtij personi nuk figuron ndonjë pronë në qytet.

Heshtje nga Komuna e Tetovës

Portalb.mk iu drejtua Komunës së Tetovës me kërkesë për sqarime se si është lëshuar aktvendimi për tatimin e një prone që, sipas familjarëve, nuk është në pronësi të qytetarit dhe mbi çfarë dokumentesh është regjistruar ajo në emrin e tij.

Nga komuna kërkuam të sqarojë nëse janë verifikuar të dhënat përpara fillimit të procedurës së përmbarimit, nëse qytetari është njoftuar paraprakisht për borxhin dhe kush mban përgjegjësi për këtë rast.

Gjithashtu, kërkuam përgjigje nëse komuna do t’ia rimbursojë qytetarit edhe shpenzimet bankare prej rreth 2.700 denarësh, nëse aktvendimi është anuluar, nëse janë korrigjuar të dhënat e tij dhe nëse i janë kthyer të gjitha mjetet e ndaluara.

Nga komuna kërkuam edhe të dhëna se sa raste të ngjashme të tatimit të gabuar ose përmbarimit ndaj qytetarëve janë evidentuar gjatë këtij viti.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske të Portalbit.

Ankesa edhe nga qytetarë të tjerë për bllokim të llogarive

Muajin e kaluar mediat raportuan se shumë qytetarëve dhe kompanive në Tetovë u ishin bllokuar llogaritë bankare për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj komunës, përkatësisht tatimit në pronë dhe taksës së firmës.

Në atë kohë, disa qytetarë u ankuan se nuk e dinin arsyen e bllokimit të llogarive të tyre bankare.

Nga Komuna e Tetovës patën sqaruar se procedurat e përmbarimit kishin filluar ndaj personave fizikë dhe subjekteve juridike që nuk i kishin shlyer detyrimet deri në vitin 2025.

Nuredin Deari nga Sektori i Financave në Komunën e Tetovës pati deklaruar se borxhi i përgjithshëm i qytetarëve ndaj komunës arrinte në rreth 300 milionë denarë, ndërsa rreth 150 milionë denarë ishin dërguar për përmbarim.

Komuna i paralajmëroi qytetarët

Kujtojmë që Komuna e Tetovës në shator i paralajmëroi qytetarët dhe kompanitë që nuk i kanë paguar tatimet e pronës dhe taksat e firmave që të shlyejnë të njëjtën, pasi në të kundërtën, nga 1 tetori do të fillonte proceduat për tatim të detyrueshëm.

Kritika edhe nga Komisioni Evropian

Në Raportin e Progresit për vitin 2026 për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian ka evidentuar probleme edhe në realizimin e të drejtave pronësore.

“Qytetarët përballen me vështirësitë më të mëdha në nivel komunal, për shkak të faturave të vjetruara, të munguara ose të pasakta, pasi regjistrat e pronave janë të vjetruar dhe ende mbahen në formë analoge”, thuhet në raport.