fbpx

Kasami: Në vjeshtë përfundon bulevardi “Bllagoja Toska” (VIDEO)

Para dy ditëve rifilluan punimet për vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë, i cili premtohet me vite të tëra. Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, tha se punimet sipas dinamikës së paraparë do të përfundojnë në muajin shtator apo tetor. Këshilltarët komunal nga BDI thonë se ky projekt është i udhëheqësisë së kaluar komunale dhe se aktualja reklamohet me punët e asaj paraprake, shkruan Portalb.mk.

Punimet për vazhdimin e bulevardit filluan nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e kaluar, tek ura nën spitalin e qytetit.

Për këtë, Kasami tha se kanë filluar nga kjo pikë pasi atje (te Spitali) ka nevojë për disa intervenime të hapjes së rrugës apo konkretisht prishjes së objekteve.

“Që të shfrytëzojmë kohën, të mos vonohemi në kohë. Sot vazhdojmë me një dinamikë më të përshpejtuar, në konsultim me kompaninë që realizon punët në afat rekord kjo rrugë të jetë në shërbim të qytetarëve”, tha Kasami.

This slideshow requires JavaScript.

Për sa i përket çështjes së pronave, Kasami theksoi se kanë marrëveshje me të gjithë pronarët ku një ndër ato është me vendim të gjykatës. Ndërsa sa i përket shpronësimit ai tha se janë të përmbyllura të gjithë marrëveshjet.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, për banorë të cilët ende jetojnë në shtëpi, të cilat duhet të prishen që të ndërtohet rruga Kasami tha se ka pasur vendim nga gjykata ku toka është e regjistruar si e komunës.

“Ajo që nuk ka pasur marrëveshje me komunën për pjesën e vlerësimit të objektit, shtëpisë dhe tokës, ka pasur procedura gjyqësore dhe gjyqi ka vendosur, toka është e regjistruar në Kadastër si pronë e komunës. Procedurat e kompensimit shkojnë me vendim të gjykatës, është procedurë shtesë të cilat ne i ecim. Duhet gjykata të bjer vendim për shpronësimin, pastaj të hapet llogari depozitare ku ne të  lëshojmë mjetet, është procedurë formale dhe nuk e ndalon realizimin e punëve”, tha Kasami.

Këshilltari komunal nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Osmani përmes një shkrimi tha se udhëheqësia aktuale e komunës merr meritat e këtij projekti i cili u fillua nga udhëheqësia paraprake komunale.

Blerim Osmani
Blerim Osmani

“Gjatë 4 vjeçarit të kaluar është dhënë edhe leja e ndërtimit sa i përket ndërtimit të këtij bulevardi! Gjatë 8 viteve të kaluara u bë edhe legalizimi i pronave të qytetarëve ku parashihej të kalojë bulevardi, me qëllim që atyre t’ju sigurohet një kompensim dinjitoz! Udhëheqësia aktuale është dashur të paguajë vetëm edhe 10 milionë denarë eksproprijim për dëmshpërblim të 2 objekteve të mbetura në trasenë e bulevardit, gjë të cilën akoma nuk e ka bërë, shkau i paaftësisë dhe menaxhimit të dobët! Andaj duam të theksojmë se kjo që sot po reklamohet si një “arritje” e madhe është thjesht vazhdim i punëve të kryera dhe të finalizuara nga udhëheqësia e kaluar, e kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim”, tha Osmani.

Punët për vazhdimin e këtij Bulevardi prej rreth 460 metra, nga pjesa ndër spitalin deri te Shkolla Tekstile, filluan me 27 gusht të vitit të kaluar dhe duhej të përfundonin në afat prej 90 ditëve, por aty është punuar vetëm disa metra, vetëm deri tek ura.

Investitor në këtë projekt është Qeveria e RMV-së, ndërsa financohet nga TAV. Punimet në këtë Bulevard i realizon Kompania NB, kurse Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës.

Në programin e tij për menaxhimin me Tetovën, si zgjidhje për problemet e urbanizmit, Kasami e përmend edhe vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska”.

“Lëvizja Besa do të angazhohet për ndërtimin dhe meremetimin e infrastrukturës së dobët. Prioritet: hapja e tre bulevardeve si “arterie” kryesore të qytetit: Bulevardi “Qendër-Ilinden”, vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe bulevardit “Vidoe S. Bato”, thuhet në Programin Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të Kasamit.

Ky bulevard u promovua disa herë gjatë mandatit 8 vjeçar të ish kryetares Teuta Arifit, por nuk u mbarua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button