Problemi me “Bllagoja Toskën”, banori: Ende jemi në gjyq, komuna: ai nuk e respekton ligjin

Për t’u bërë lidhja e bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te ura nën “Spitalin e Tetovës” me pjesën tjetër që del te shkolla “Tekstile” duhet të rrënohet një objekt. Problemi, sipas kryetarit të Komunës, qëndron në atë se kanë hasur në mosmarrëveshje me banorin që jeton në atë objekt. Ai madje tha se të hënën do të kërkojnë asistimin e policisë për të vazhduar punimet pasi banori, nuk pranon atë që thotë ligji. Nga ana tjetër, qytetari që banon aty thotë se e respekton ligjin, por, se për këtë çështje ka proces gjyqësor i cili ende nuk ka përfunduar, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës dje deklaroi se nuk kanë marrëveshje me banorin e fundit që duhet ta lëshojë shtëpinë që të vazhdojnë punimet për bulevardin, pasi siç tha ai nuk e pranon atë që thotë ligji, dhe për këtë të hënën do të ndërhyjnë  me asistencë të policisë për të vazhduar punimet.

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ditën e hënë ne do të kërkojmë edhe asistimin e policisë që të largohet edhe banori i fundit nga aty që të vazhdojë edhe pjesa tjetër, pra ne deri tani e kemi bërë angazhimin maksimal që të kemi një marrëveshje me atë qytetar i cili për momentin nuk pranon atë që thotë ligji, dhe besojmë që ditën e hënë me asistim të policisë do të eliminohet edhe pengesa e fundit dhe të vazhdojnë punët për përfundimin e të gjithë bulevardit. Është një punë dhe përgjegjësi e Komunës së Tetovës realizimi i tij…  Nëse nuk vjen policia të asistojë atëherë apo do ti bëjnë ato lojërat të cilat në disa raste kanë ditur ti bëjnë, atëherë do të varemi që deri sa ne të mund ta eliminojmë këtë pengesë. ”, tha Kasami.

Por, na ana tjetër, banori në fjalë, Islam Rushiti sot përmes një deklarate për media tha se ende janë në proces gjyqësor për rastin në fjalë.

Islam Rushiti
Islam Rushiti

“Për ta rrënuar këtë shtëpi jena ende në proces gjyqësor. Ai (Kasami) ndoshta ka thënë po ne jena në gjyq ende, kur do i pastrojmë punët e gjyqit atëherë mundet. Edhe paratë nuk i kemi marrë. Na kanë ofruar 76 mijë euro, ne me ata para s’mundemi as shtëpinë ta rregullojmë. Unë nuk u kam kërkuar 350-400 mijë u kam kërkuar sa e ka vlerësuar një që ka qenë. Ai e ka vlerësuar 122 mijë euro. Unë nuk jam kundër kësaj rruge. Ne do të rijmë këtu, pa mos mbaruar gjyqi do të rijmë, do e kërkojmë tonën. Nuk mund të na nxjerrë, ne jemi ende në gjykim. E respektojmë ligjin, por jemi në gjyq”, tha Rushiti.

Punimet për vazhdimin e bulevardit rifilluan me 16 maj 2022 nga Shkolla Tekstile “Goce Stojçevski”, për të përfunduar aty ku filloi udhëheqësia e kaluar gushtin e vitit 2021, tek ura nën spitalin e qytetit dhe që u la në gjysmë.

Nuk ka një afat kokret kohor se kur do përfundojë bulevardi pasi siç tha kryetari i komunës, kjo varret edhe nga institucione tjera, pasi ata si komunë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet nga ana e tyre.

Investitor në këtë projekt është Qeveria e RMV-së, ndërsa financohet nga TAV. Punimet në këtë Bulevard i realizon Kompania NB, kurse Komuna e Tetovës është organ mbikëqyrës.

Premtimet për përfundimin e këtij bulevardi datojnë gati se para një dekade, i njëjti çdo herë premtohet para zgjedhjeve, ai është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button