Prokuroria kundër Gjykatës: Kemi paraqitur dëshmi të mjaftueshme edhe për paraburgim edhe për vepër penale

Prokurori publik ka reaguar në lidhje me arsyetimet e Gjykatës Penale rreth vendimit që mos të shkojë në paraburgim Bekim Neziri dhe të dyshuarit tjerë për shkak sulmeve te M-NAV, përkundër propozimit të prokurorit për paraburgim,  Portalb.mk.

“Prokuroria i ka dhe i ka paraqitur të gjitha dëshmitë se ka rrezik real se katër personat e dyshuar që janë privuar nga liria të jenë të lirë, të ndikojnë ndaj dëshmitarëve (duke përfshirë edhe të dëmtuarit, por edhe te të dyshuarit që akoma janë të pakapshëm), si dhe të përsërisin veprën”, deklarojnë nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.

Pas reagimit të Gjykatës Penale se nuk janë paraqitur dëshmi të mjaftueshme për veprën që të ndiqen të dyshuarit, nga Prokuroria sqarojnë:

“Në lidhje me veprën penale – Rrezikimi i sigurisë së transportit ajror nga neni 303 nga Kodi Penal, në paragrafin 2, ato janë plotësuar vetëm me mundësinë që të rrezikohet siguria e aeroportit për trafikun ajror ndërkombëtar me aktin e dhunës  dhe nuk është e nevojshme të ndodhin pasoja katastrofale në kuptimin e lëndimeve të rënda, vdekjes ose shkatërrimit”, deklaruan nga Prokuroria.

Ndryshe, Gjykata Themelore Penale në Shkup sot përmes një komunikate ka sqaruar arsyet pse ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për përcaktimin e masës së paraburgimit për Bekim Nezirin dhe tre të dyshuar për sulmin në objektin e M-NAV dhe sulmin ndaj kontrollorëve të fluturimeve në vendin e punës.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Më 5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale – Shkupi 1 dhe për to u caktua “masë kujdesi” dhe jo paraburgim siç kërkoi paraprakisht Prokuroria Publike. Kjo e fundit më 6 janar tha se do të ankimojë këtë vendim.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë ndërsa Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën  10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.