Nëse qeveria nuk shkarkon drejtorët e M-NAV, më 10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit

Kryetari i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror M-NAV, Aleksandar Tasevski, sot, me ftesë të delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, foli për zhvillimet në navigim. Sipas tij, të gjitha gjërat për të cilat kanë paralajmëruar po dalin në shesh dhe delegacioni i BE-së ka qenë në dijeni të plotë për të gjitha zhvillimet në M-NAV, transmeton Portalb.mk.

“Ne kemi mirëkuptim me institucionet që funksionojnë ashtu siç duam të funksionojmë edhe ne. Është për të ardhur keq që kjo po bën jehonë kudo, por kemi mbështetjen tonë të plotë. I kemi informuar të gjitha sindikatat në Evropë, kemi përkrahje, madje edhe ardhja këtu po organizohet si mbështetje”, tha Tasevski.

Ai theksoi se menjëherë pas sulmit në M-NAV, kanë kërkuar nga MPB-ja që të ndërmarrë të gjitha aktivitetet për gjetjen e fajtorëve, por edhe për sigurimin e objektit të Navigacionit të Maqedonisë.

“Kërkojmë nga Ministria e Brendshme zbardhjen e të gjithë autorëve të ngjarjes, nisjen e procedurave përkatëse, pavarësisht nëse personat kanë qenë punonjës, bashkëpunëtorë në të gjithë këtë proces apo persona që kanë hyrë brenda. Kemi kërkuar që të delegohen personat të cilët do të jenë sigurimi i objektit, sepse padyshim që shërbimi i sigurisë nuk është funksional për ne, pasi që personat që nuk janë të punësuar kanë arritur të hyjnë në objekt”, tha Tasevski.

Si sindikatë presin që qeveria ta përmbushë premtimin e saj, që të shkarkohet menaxhmenti i M-NAV.

“Nëse kjo nuk respektohet, jemi të vendosur që nga 10 janari të mbyllim hapësirën ajrore mbi Maqedoninë, sepse edhe beteja po bëhet për të garantuar sigurinë e çdo pasagjeri që udhëton me avion”, theksoi Tasevski.

Kjo është edhe një nga vendimet dhe kërkesat e Sindikatës të marra në mbledhjen e jashtëzakonshme të anëtarëve të mbajtur mbrëmë vonë, për të cilën ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Sindikatës pasoi përshkallëzimin e ngjarjeve në Navigacionin e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme, pas depërtimit të disa personave, të cilët së bashku me një punonjës të Navigacionit sulmuan një tjetër punonjës të institucionit.

Siç informoi i pari i sindikatës, në mbledhje janë marrë katër vendime dhe kërkesa.

E para është që Ministria e Punëve të Brendshme të nisë menjëherë një procedurë për gjetjen e pjesëmarrësve në të gjithë ngjarjen.

Konkluzioni i dytë i takimit, sipas tij, i referohet, sipas Tasevskit, dështimeve evidente të sigurisë së shërbimeve të ngarkuara me sigurimin e objektit dhe personave të punësuar në Kontrollin e Trafikut Ajror.

“I është kërkuar Ministrisë së Brendshme që ta sigurojë atë, por edhe punonjësit, duke vendosur zyrtarë, veçanërisht pasi është një objekt strategjik shtetëror, por edhe për faktin se kontrollorët e trafikut ajror nuk do të vazhdojnë të punojnë nën frikën e justifikuar se në çdo moment dikush nga jashtë mund të hyjë dhe të rrezikojë jetën e tyre, e me këtë edhe jetën e pasagjerëve në avionët që i shërbejmë. Menjëherë janë dërguar zyrtarë nga MPB-ja për të mbrojtur sigurinë e objektit, por edhe të punëtorëve”, thotë Tasevski.

Sindikata Profesionale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror u bën thirrje tre drejtorëve ekzekutivë të M-NAV që menjëherë të japin dorëheqje nga postet e tyre, para së gjithash për arsye morale, për shkak të përshkallëzimit të situatës në kontrollin e trafikut ajror, e cila, siç thekson kryetari i Sindikatës, është për faj të tyre.

“Ata kanë treguar se jo vetëm që nuk janë në gjendje të menaxhojnë me sukses navigacionin maqedonas, por nuk janë në gjendje të mbrojnë punonjësit e tyre dhe vetë objektin nga ndërhyrjet e personave të paautorizuar. Dhe pasi kanë kaluar më shumë se 11 orë nga sulmi ndaj kolegut tonë, asnjëri prej tyre nuk e gjeti të nevojshme të dënonte publikisht të gjithë ngjarjen, të dilte me një qëndrim zyrtar për atë që ndodhi në një institucion që duhet të përfaqësojë majat e sistemit të sigurisë, ata nuk guxuan t’i ofronin ndihmën e tyre kolegut tonë të dëmtuar dhe as të garantonin sigurinë e mëtejshme të punonjësve të cilët pavarësisht gjithçkaje duhej të qëndronin në vendin e punës dhe të vazhdojnë të kontrollojnë trafikun ajror”, shkroi herët në mëngjes Kryetari i Sindikatës në rrjetin social.

Sindikata u bën thirrje drejtorëve që të mos presin shkarkimin e tyre siç ka paralajmëruar Qeveria dje në mbrëmje për seancën e radhës të caktuar për 9 janar, sepse “tashmë kanë shkaktuar dëm të mjaftueshëm”.

“Nëse drejtorët ende nuk tregojnë virtyt për të dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, i bëjmë thirrje Qeverisë që në seancën e radhës të datës 09.01.2024 të shkarkojë të gjithë drejtorët dhe të hapë procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit dhe Bordi Drejtues, një proces transparent dhe ligjërisht i paraparë, si fillim i qetësimit të të gjitha tensioneve, por edhe që mundëson normalizimin e të gjitha proceseve që janë të nevojshme për funksionimin e mëtejshëm normal të navigimit. Ndryshe, SKTA shpall grevë me mbyllje të hapësirës ajrore duke filluar nga data 10.01.2024 deri në plotësimin e të gjitha kërkesave tona”, thekson Tasevski.

Ai shton se nëse detyrohen të hyjnë në grevë, kërkojnë nga qytetarët që të kenë mirëkuptim për veprimet e tyre, pavarësisht problemeve me të cilat do të ballafaqohen gjatë udhëtimit të tyre ajror.

Për ngjarjen e djeshme dhe aktivitetet e mëtejshme, Sindikata tashmë ka njoftuar të gjitha institucionet ndërkombëtare të aviacionit, sindikatat dhe shoqatat e kontrollorëve të trafikut ajror nga Evropa. Ata presin që përfaqësuesit e tyre të vijnë së shpejti si ndihmë dhe mbështetje shtesë, thotë Tasevski.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.