RMV, “Komitët” kanë sulmuar dy punonjës të Higjienës Komunale, zv.ministri Iseni e konfirmoi rastin, opozita kërkon hetim

Pjesëtarë të grupit të tifozëve “Komitët” mbrëmë pas mesnatës në Shkup i kanë sulmuar brutalisht dy punonjës të Higjienës Komunale. Rastin përmes rrjeteve sociale e ka konfirmuar zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni. Baskimi Demokratik për Integrim kërkon që menjëherë të identifikohen dhe të ndëshkohen pjesëtarët e “Komitëve”, njofton Portalb.mk.

Iseni potencon se është e papranueshme që qytetarët, të cilët kryejnë punën e tyre, të bëhen cak i dhunës për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

“Sipas deklarimeve të të sulmuarve, personat që i kanë sulmuar janë prezantuar si “Komitë”. Ekzistojnë dyshime serioze se sulmi mund të ketë motive etnike, rrethana këto që do të trajtohen me prioritet dhe do të hetohen deri në zbardhjen e plotë të rastit. Rasti fillimisht nuk ishte raportuar në polici. As nga institucioni shëndetësor ku kanë kërkuar ndihmë të lënduarit nuk është përcjellë njoftim në polici. Pas paraqitjes së rastit nga vetë viktimat në Stacionin Policor “Karposh”, SPB Shkup dhe Stacioni Policor “Karposh” kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa janë siguruar edhe dëshmitarë të ngjarjes, të cilët do të kontribuojnë në zbardhjen e plotë të saj”, shkruan ai.

Zëvendësministri në postimin në Fejsbuk shton se ky rast nuk do të mbetet pa epilog dhe se të gjithë kapacitetet e nevojshme policore dhe hetimore do të angazhohen për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

BDI-ja e dënoi ashpër sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup.

“Fakti se sulmuesit fillimisht i pyetën punonjësit nëse janë shqiptarë dhe më pas i sulmuan, ndërkohë që ata mbanin uniformat e punës, ngre dyshime serioze për motivim etnik. Kjo është e papranueshme në një shtet multietnik, ku siguria dhe barazia duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thonë nga partia opozitare.

Nga BDI-ja kërkojnë nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni dhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, përgjegjësi institucionale, hetim të plotë, identifikimin e të gjithë sulmuesve dhe ndëshkimin e tyre.

“Kërkojmë: Identifikimin e plotë të të gjithë pjesëtarëve të grupit që morrën pjesë në sulm; Hetim të plotë dhe profesional për motivet e sulmit, përfshirë dyshimet për motivim etnik; Ngritjen e procedurave përkatëse dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve; Sqarim publik se çfarë masash ka ndërmarrë dhe po ndërmerr MPB-ja për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Shqiptarët nuk duhet të kenë frikë të punojnë, të jetojnë dhe të lëvizin të sigurt në kryeqytetin e vendit të tyre!”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Në reagimin e Lëvizjes “Një” thuhet se duhet të marrë fund tolerimi i nxitjes dhe kultivimit të dhunës, si dhe i sjelljeve si në Perëndimin e Egër (kaubojtë), të cilët mendojnë se mund të sulmojnë qytetarët për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

“Përgëzime gazetarëve që e bënë publik këtë rast dhe ndihmuan që kjo ngjarje të mos kalojë në heshtje. Shteti duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët dhe të garantojë sigurinë e secilit, pa dallim. Nëse institucionet nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, qytetarët do të detyrohen të organizohen për të mbrojtur veten, ndërkaq përgjegjësinë për çdo përshkallëzim të mundshëm do ta mbajë shteti, i cili duhet t’u shërbejë njësoj të gjithë taksapaguesve. Natyrisht, duke qenë të “bindur” se kjo dhunë sistemike që po përsëritet disa vjet me radhë, nuk është dorë e kordinuar nga shteti vetë!?”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Një.

Kanë reaguar edhe nga Lidhja Shqiptare, në të cilën përveç ndëshkimit të dhunuesve, thonë që duhet edhe përgjegjësi për fshehjen e rastit dhe mosveprim të organeve.

“Dhuna fizike ndaj dy shqiptarëve nga huliganët maqedonas patjetër që duhet të merr epilog dhe dhunuesit të marin dënimin e merituar. Por, Lidhja Shqiptare vlerëson që nuk mjafton me kaq tanimë që në shesh kanë dalë skandale të tjera po aq të rënda lidhur me këtë rast. Përgjegjësi ligjore dhe politike duhet të mbajnë edhe ata që fshehën këtë rast, nuk vepruan në kohë, nuk pati reagim dhe tentuan të fshehin këtë rast. Përgjegjësia dhe ndjekja penale duhet të fillojë nga mjeku kujdestar i cili edhe pas një dite ka tentuar të fsheh rastin. Përgjegjësi duhet edhe në strukturën komanduese dhe ekipet kujdestate të SPB Shkup, pasi siç dihet natën e kaluar i gjithë Shkupi ka qenë i vërshuar nga forca policore dhe askush nuk mund të na bind se policët nuk e kanë vërejtur këtë rast, ndërsa kanë vërejtur dhe ndëshkuar vepra që as nuk paraqesin vepër penale, siç janë festa e 28 Nëntorit, rënia e burive, valëvitja e flamurit dhe veprime të ngjashme”, tuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.

Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi për sulmin ndaj punëtorëve shqiptarë të Higjienës Komunale. Nga ASH thonë se ky rast ngre dyshime serioze për dhunë me motive etnike dhe cenon sigurinë dhe barazinë e qytetarëve shqiptarë.”Kërkojmë nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësministri Astrit Iseni identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të të gjithë autorëve të sulmit, zbardhjen e plotë të rastit dhe informimin e opinionit publik për masat e ndërmarra. Nuk mjafton dënimi verbal i dhunës. Institucionet kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e çdo qytetari dhe të sigurojnë që askush të mos mbetet i pandëshkuar për dhunën e ushtruar. Shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë, të punojnë dhe të lëvizin lirshëm e të sigurt në Shkup dhe në çdo qytet të vendit. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi institucionale deri në zbardhjen e plotë të rastit dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Gjatë festimit të Ditës së Flamurit,në rajonet e Sektorëve për Punë të Brendshme në Shkup, në Tetovë, në Ohër dhe në Kumanovë, janë regjistruar gjithsej 13 shkelje të rendit dhe qetësisë publike.

Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi vazhdojnë të jenë sfida serioze në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në hapsirën online. Korniza ligjore dhe institucionale për luftimin e këtyre dukurive mbetet e paplotë, ndërsa mungon mbledhja sistematike e të dhënave për rastet e gjuhës së urrejtjes. Këto janë disa nga vërejtjet e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2026.