RMV, Prokuroria kërkoi paraburgim për gostivarasin që e rrahu bashkëshorten dhe u dërguar në Spitalin e Psikiatrisë në Bardovcë

Prokuroria Themelore Publike Gostivar hapi hetim për tentim për vrasje kundër 52-vjeçarit M.M. nga fshati Toplicë i Gostivarit, i cili dje brutalisht e rrahu bashkëshorten e tij 42-vjeçar, pas çka ajo me lëndime të rënda trupore ka përfunduar në Klinikën e Shkupit, njofton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për burrin për të cilin Ministria e Punëve të Brendshme paraprakisht kumtoi se është person me shëndet të rënduar mendor i cili pas arrestimit është dërguar në Spitalin e Psikiatrisë në Bardovcë.

Më 27 nëntor, gjatë kryerjes së dhunës në familje, i dyshuari 52-vjeçar qëllimisht ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij. Gjatë një zënke në shtëpinë familjare në fshatin Toplicë, i dyshuari ka përdorur forcë fizike dhe send të mprehtë me të cilin e ka goditur disa herë të dëmtuarën në kokë, fytyrë dhe trup.

Nga Prokuroria informojnë se gruas i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, plagë me thikë dhe thyerje të disa brinjëve, nga të cilat ajo është alivanosur. Rastin në stacion policor e ka denoncuar babai i të dyshuarit, ndërsa kur zyrtarët policorë kanë arritur në vendngjarje, e kanë gjetur gruan pa vetëdije.

Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat, peshën e veprës penale të kryer, rrezikun nga arratisja dhe ndikimin mbi dëshmitarët, si dhe mundësinë që ta përfundojë veprën e filluar, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.