Shujta mbeti 140 denarë, qindra studentë presin kartelën për autobus, çfarë probleme raportojnë studentët te Studentaria?

Kartela e vjetër e autobusit u është çaktivizuar, ndërsa e reja ende nuk u ka mbërritur. Në këtë situatë janë gjetur shumë studentë në Shkup, të cilët kanë të drejtë të udhëtojnë falas, tregon për Portalb.mk Goshe Nikollov, themelues i Studentarias, platformës më të madhe studentore në vend. Transporti është tjetër shqetësim për të cilat studentët i shkruajnë platformës, krahas shujtës që prej vitesh ka mbetur 140 denarë dhe kushteve në konvikte. Këto janë vetëm disa nga çështjet për të cilat biseduam me Nikollov, ndërsa në anketën e Portalbit, 145 nga 173 studentët që morën pjesë thanë se nuk arrijnë t’i përballojnë shpenzimet mujore.

Duke folur për sfidat me të cilat ballafaqohen studentët në vend sot, Nikollov theksoi disa nga më të shpeshtat të cilat i adresojnë studentët deri te platforma Studentarija.

Studentë pa bileta të transportit publik

Kohët e fundit, shumë studentë në Shkup kanë pasur probleme edhe me kartelat digjitale për transport publik falas.

Nikollov thekson se Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) në Shkup kaloi nga kartelat fizike në ato digjitale, i nxori të vjetrat nga përdorimi pa u siguruar që të gjithë studentët t’i kishin marrë të rejat. Për studentët që presin kartelën për transport publik në Shkup, vështirësia është edhe të gjejnë dikë që t’u tregojë si të veprojnë.

“Studentët nuk kanë as udhëzime të qarta se ku të drejtohen për ta zgjidhur problemin dhe shumë prej ankesave që i dërgojnë ndërmarrjes mbeten pa përgjigje. Si Studentarija, aktualisht po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje duke komunikuar drejtpërdrejt me NTP-në dhe universitetet”, thekson Nikollov.

Çfarë blejnë sot studentët me 140 denarë?

Një tjetër ankesë që përsëritet në mesazhet e studentëve ka të bëjë me ushqimin. Nikollov thotë se, megjithëse ligji parashikon që shuma e shujtës së subvencionuar të përshtatet çdo vit me normën e inflacionit, studentët vazhdojnë të marrin të njëjtën shumë.

“Ajo që studentët mund të blinin me 140 denarë para tre vjetësh, sot nuk e blejnë dot me të njëjtën shumë”, thotë ai.

Në konviktin “Goce Dellçev”, uji kthehet e pastaj ndërpritet sërish

Nga konvikti “Goce Dellçev” në Shkup, studentët i janë drejtuar disa herë Studentarias për ndërprerjen e furnizimit me ujë në disa prej ndërtesave. Riparimet, sipas Nikollovit, kanë dhënë zgjidhje të përkohshme.

“Furnizimi me ujë ndërpritet tërësisht, pra nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë të ujit të ngrohtë. Problemi zgjidhet përkohësisht dhe pas njëfarë kohe shfaqet sërish.”, sqaron ai.

Ankesa kanë ardhur edhe nga konvikti “Stiv Naumov”, përfshirë nga ambientet e rinovuara. Nikollov tregon se disa prej problemeve u zgjidhën pasi reagoi platforma. Ai kujton se, më pak se një muaj më parë, në njërën prej barakave të këtij konvikti mori flakë një bojler. Studentët u evakuuan dhe ngjarja kaloi pa pasoja më të rënda.

Nga fakultetet, studentët shkruajnë për vështirësitë që hasin kur përpiqen të kontaktojnë profesorët, por edhe për mënyrën si vlerësohen dhe sa të qarta janë kriteret e vlerësimit. Sipas Nikollovit, kohët e fundit janë shtuar edhe denoncimet që ngrenë dyshime për ryshfet dhe korrupsion në disa universitete të vendit.

“Aktualisht po i analizojmë dhe po i verifikojmë këto denoncime. Për të ruajtur procesin e verifikimit dhe për të mbrojtur studentët që na drejtohen, për momentin nuk do të jepnim më shumë hollësi”, thotë ai.

Çfarë do t’ua lehtësonte studentëve shpenzimet?

Përveç shujtës, një pjesë e studentëve përfitojnë edhe bursa shtetërore. Sipas Nikollovit, shumica e bursave janë nga 6.050 denarë në muaj, ndërsa për disa programe studimore me rëndësi strategjike shuma arrin në 18.000 denarë. Për ata që duan të sigurojnë vetë të ardhura gjatë studimeve, ai sheh mundësi te ligji për punën e studentëve, miratimi i të cilit, sipas tij, po zvarritet prej kohësh.

“Duhet një model i rregulluar me ligj që t’u mundësojë studentëve të punojnë gjatë studimeve me orar të plotë ose të shkurtuar, në varësi të mundësive dhe detyrimeve të tyre akademike, pa humbur në mënyrë të pajustifikuar të drejta që u takojnë si studentë. Modele të tilla ekzistojnë në shumë vende evropiane dhe u mundësojnë studentëve të sigurojnë të ardhura të tyre dhe të fitojnë përvojë pune që gjatë studimeve”, thotë Nikollov.

Për ta përmirësuar standardin studentor, krahas rritjes së mbështetjes financiare, ai thotë se duhen ulur edhe shpenzimet që përballojnë studentët.

“Këtu hyjnë strehimi cilësor me çmime të përballueshme, zgjerimi i së drejtës për transport publik falas dhe sigurimi i lehtësive për studentët në transportin ndërurban”, përfundoi Nikollov.

Rritja e subvencionit për shujtën ishte edhe masa që u kërkua më shpesh në anketën e Portalb.mk. Kur iu kërkua të zgjidhnin një masë që do t’i ndihmonte të përballonin shpenzimet, 57 nga 173 pjesëmarrësit zgjodhën rritjen e shujtës, 47 kërkuan bursa më të larta dhe 22 transport më të lirë. Vetëm për ushqim, 101 nga studentët e anketuar thanë se shpenzojnë mbi 5.000 denarë në muaj.

Në storjen në vijim për standardin studentor në vend do të mund të ndiqni bisedën me Blendi Hodain, drejtuesin e Forumit për Ndryshime në Arsim.

Lexo storjet paraprake:

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.